Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian ndajnë rrugët - Foto: Ilustrim

Britanikët Votuan për Braktisjen e BE-së

Britanikët kanë votuar për të dalë nga Bashkimi Evropian (BE) gjatë referendumit të së enjtes, njoftojnë sot në mëngjes agjencitë ndërkombëtare të lajmeve.

“52% e votuesve kanë votuar për dalje nga BE-ja dhe numri i fletëvotimeve të numëruara është i mjaftueshëm aq sa rezultati të jetë i pakthyeshëm”, raportonte Agence France Press.

Edhe agjencia Reuters raporton se britanikët kanë zgjedhur të largohen nga Bashkimi Evropian.

“Rezultatet e pothuajse të gjitha 382 zonat tregojnë se ‘Leave’ ka fituar me rreth 51,7%  të votave, për dallim nga 48,3% sa kanë fituar përkrahësit e mbetjes në BE”, raporton agjencia britanike.

Për shkak të këtij rezultati kanë reaguar edhe tregjet financiare.

Funta ka humbur mbi 10% të vlerës në raport me dollarin rreth orës 04:00 GMT, ndërsa euro afër 4%, raporton Reuters.

Reagimi i tregjeve, vijon agjencia britanike e lajmeve, ngre pikëpyetje rreth rolit në fushën financiare botërore të Londrës dhe u hap rrugën muajve të pasigurisë politike. Gjithashtu, investitorët janë të shqetësuar për të ardhmen e bllokut me 28 anëtarë.

Duke u larguar nga Bashkimi Evropian, Britania e Madhe do të humbë qasjen në tregun e përbashkët evropian dhe do të detyrohet të lidhë marrëveshje bilaterale tregtare me partnerët e saj në mbarë botën.

Agjencia Reuters vëren ndërkaq se BE do të humbë një të gjashtën e prodhimit të saj ekonomik, por edhe një aleat diplomatik me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.