Britanikët tërhiqen nga rekrutimi për pozitën e Kryesuesit të Bordit të ZRrE-së

Ambasada Britanike në Kosovë ka njoftuar se është tërhequr nga procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeshefit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Sipas njoftimit, Ambasada Britanike është e zhgënjyer me vendimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të datës 28 shkurt, për mos-votimin e asnjërit prej kandidatëve të rekomanduar nga partneri zbatues i Projektit të Rekrutimit në pozitën e Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

“Dështimi i deputetëve të votojnë njërin nga kandidatët e rekomanduar, ka rezultuar me ri-shpalljen e konkursit për këtë pozitë. Andaj, ne publikisht njoftojmë se projekti ynë nuk do të mbështesë ri-përsëritjen e procesit rekrutues për pozitën e njëjtë të Kryesuesit të Bordit të ZRRE-së.  Ambasada Britanike është shumë e kujdesshme se si i shpenzon paratë e taksa-paguesve Britanikë.  Ne nuk do të financojmë procese rekrutuese shtesë, kur nuk ka arsye përse ato të përsëriten përveç mungesës së vullnetit për të emëruar kandidatë të përgatitur”, thuhet në njoftimin e Ambasadës

Sipas kësaj Ambasade, nuk ka pasur ndonjë arsye të anulohet konkursi për pozitën e Kryesuesit të Bordit të ZRRE-së.

“Kandidatët e rekomanduar ishin përzgjedhur përmes një procesi të mirë-strukturuar, profesional dhe meritokratik. Ata kishin plotësuar të gjitha kriteret dhe kishin treguar që posedojnë kompetencat e duhura për të ushtruar pozitën e Kryesuesit të Bordit të ZRRE-së. Pavarësisht një procesi të tillë rekrutues transparent, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kishin votuat asnjërin nga kandidatët e rekomanduar.  Ky dështim në emërimin e njërit nga kandidatët e rekomanduar është në kundërshtim me Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

Kjo Ambasadë ka kritikuar edhe qasjen e deputetëve për emërimin e personave profesional në pozita drejtuese.

“Ky vendim gjithashtu vë në dyshim qëllimin dhe vullnetin politik të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për emërime profesionale në pozita të larta drejtuese në institucione të cilat do të duhej të ishin të pavaruara, dhe sektorë me rëndësi jetike për resurset dhe ekonominë e Kosovës. Në rastin e Komisionit për Ndihmë Shtetërore, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë emëruar pesë kandidatët e rekomanduar nga partneri zbatues, që tregon se kur ka vullnet, emërimet mund të bëhen bazuar në meritë”, përfundon njoftimi.

Kjo është hera e dytë që britanikët shprehin kundërshtime me rekrutimet nga ana e institucioneve të Kosovës pas reagimit të 6 marsit të këtij viti në rastin e konkursit për drejtor të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronave.

https://kallxo.com/britaniket-te-pakenaqur-me-zgjedhjen-e-bashkeluftetarit-te-limajt-ne-agjencine-e-prones-ambasadori-jep-doreheqje-nga-bordi/