Britanikët Rol Kyç në Përzgjedhjen e Drejtorit të Doganës

Britanikët do ta kenë rolin kryesor në përzgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës.

Konkursi për këtë pozitë është rishpallur nga Ministria e Financave më 15 nëntor dhe do të jetë i hapur deri me 29 nëntor 2016.

Rolin kryesor në procesin e rekrutimit do ta ketë kompania britanike “BDO LLP” në partneritet me “A&CD”, të cilët janë përzgjedhur nga Qeveria britanike.

Sipas një Memorandumi Mirëkuptimi të nënshkruar në gjysmë të gushtit nga kryeministri Isa Mustafa, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, një kompani britanike e specializuar në rekrutim do t’i propozojë Qeverisë së Kosovës listën e ngushtë me emrat më të suksesshëm për pozita të larta të institucioneve të pavarura.

http://kallxo.com/veseli-djem-e-vajza-konkurroni/

Në fund do të jetë në diskrecionin e Qeverisë të vendosë për personin që do të jetë zyrtari i përzgjedhur në ato pozita, në këtë rast të drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës.

Konkursi për këtë pozitë ishte shpallur më 17 shtator, në ditë vikendi.

Por, Ministria e Financave e ka anuluar me arsyetimin se kjo pozitë është njëra nga pozitat e përfshira në Memorandumin e sipërpërmendur.

Memorandumi i Mirëkuptimit parasheh mbështetjen e institucioneve të Republikës së Kosovës në zhvillimin e procedurave transparente të rekrutimit të së paku 20 pozitave të larta shtetërore.

Në anulimin e konkursit thuhet se pozita e drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës është njëra nga ato të cilat do të procedohet nga britanikët.

“Ministria e Financave garanton që përsëritja e këtij konkursi dhe zbatimi i Memorandumit të Mirëkuptimit do të ndikojë në zhvillimin e një procesi transparent dhe të besueshëm, ashtu siç ishte synuar me planin e rekrutimit të Ministrisë së Financave”, thuhet në anulimin e konkursit për drejtor të përgjithshëm të Doganës.

Konkursi për drejtor të Doganës ishte shpallur në ditë vikendi, pasi Ministria e Financave nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë për t’ia vazhduar mandatin Lulzim Rafunës pa hapur konkurs publik.

Rafuna ishte emëruar drejtor i Doganës në vitin 2013 për një mandat 3-vjeçar me opsionin për vazhdimin e mandatit edhe për 3 vjet të tjera (3+3).

KALLXO.com kishte raportuar për procesin e rekrutimit të iniciuar nga Ministria e Financave.

Në këtë konkurs kanë aplikuar 15 kandidatë.

http://kallxo.com/15-kandidate-per-timonin-e-doganave/