Brengos Dhuna e Mësimdhënësve Ndaj Nxënësve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka shprehur shqetësimin e thellë përballë dukurisë së abuzimit, sulmeve dhe ngacmimeve seksuale, si dhe dhunës, keqtrajtimeve dhe fyerjes ndaj nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë.

Sipas Alketa Laskut, abuzimi seksual është forma më e rëndë dhe ekstreme e abuzimit ndaj fëmijëve, për shkak të pasojave afatgjata që lë te ta.

Lasku ka treguar se gjatë muajit mars 2016 janë paraqitur dhe konfirmuar nga institucionet përkatëse tri raste të ngacmimit dhe sulmit seksual me nxënësit e mitur. Njëri rast ka ndodhur në një shkollë të komunës së Skenderajt, një në komunën e Mitrovicës dhe një tjetër në atë të Lipjanit. Për të tri këto raste nga policia janë arrestuar në cilësinë e të dyshuarve mësimdhënësit e viktimave.

Sipas zyrtares së KOMF-së, është brengosëse edhe numri i vogël i lëndëve të zgjidhura në gjykata lidhur me sulmet dhe ngacmimet seksuale ndaj personave të mitur.

Siç tregojnë statistikat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës në periudhën janar 2015 – shkurt 2016 nga 111 lëndët nga kapitulli i veprave penale kundër integritetit seksual ndaj të miturve vetëm 38 janë zgjidhur. 36 prej tyre kanë të bëjnë me veprën penale të dhunimit, sulmit seksual dhe keqpërdorim seksual.

Ndërsa, presidenti i KOMF-së, Gani Lluga, ka folur për rastet e dhunës, keqtrajtimit dhe fyerjes së nxënësve të mitur nga mësimdhënësit. Sipas tij, nga data 14 deri më 22 mars 2016 janë publikuar dhe konfirmuar të kenë ndodhur 3 raste. [interaction id=”56fbde24ae712ffc792fd3d4″]

“Në dy raste, të cilat kanë ndodhur në komunën e Rahovecit, është ushtruar dhunë fizike ndaj nxënësve nga mësimdhënësit e tyre. Në rastin tjetër, i cili kishte ndodhur në komunën e Klinës, nxënësi ishte keqtrajtuar dhe fyer nga mësimdhënësi i tij”, tha Lluga.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve çmon “veprimin efikas” të organeve relevante në dy rastet e Rahovecit, mirëpo jo edhe për atë në Klinë, i cili ende nuk është proceduar nga Drejtoria Komunale e Arsimit të Klinës.

KOMF konsideron se organet kompetente urgjentisht duhet të ndërmarrin të gjitha masat disiplinore dhe ligjore dhe të sigurojnë një ambient të sigurt në mënyrë që rastet e këtilla të mos përsëriten.

Po ashtu, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve ka shprehur shqetësimin që Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk posedon të dhënat nëse kryesit e abuzimeve seksuale dhe të dhunës, keqtrajtimit dhe fyerjes së mxënësve janë mësimdhënësit, profile të tjera të zyrtarëve publikë apo persona të tjerë që akuzohen dhe janë dënuar për vepra të tilla.

Gjate këtij raportimi, KOMF ka kërkuar nga Zyra Ligjore e Zyrës së Kryeministrit kalimin sa më të shpejt për miratim në Parlament të Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.