QKUK - Foto: Atdhe Mulla

Brenda vitit QKUK bëhet me rezonancë të re magnetike

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha sot se gjatë këtij viti do të blihet aparati i ri i rezonancës magnetike për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Kosova e ka vetëm një aparat të rezonancës magnetike për 1.8 milion banorë.

Një aparat tjetër, sipas ministrit, do të ulte listën e pritjes dhe do të zvogëlonte rrezikun e defekteve që janë të shpeshta në aparatin ekzistues.

“E kemi paraparë me ble, do të blihet sivjet, do të vendoset në QKUK dhe do të zgjidhet edhe ai problem”, tha Ismaili.

Ministri theksoi se për muajt e punës së tij si ministër është e pamundur të arrihen të gjitha por sipas tij në bazë të ankesave të pacientëve do të reagojë.

“Jemi në rrugë të mirë”, tha Ismaili.

KALLXO.com javën e kaluar raportoi për gjendjen në Klinikën e Radiologjisë aty ku lista e pritjes për një rezonancë magnetike është deri në vitin 2019 ndërsa prishjet e defektet janë të shpeshta.

https://kallxo.com/video-aparati-i-lodhur-ne-sherbim-te-pacienteve-ne-qkuk/

Drejtoresha e kësaj Klinike tha për KALLXO.com se për numrin e banorëve të Kosovës duhen së paku tri rezonanca.