Gjykimi i ish-gjyqtares Safete Tolaj - Foto: KALLXO.com

Brenda një dite, tri gjykime të shënjestruara për viza

Dy gjykime  në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe një tjetër në atë të Ferizajt ishin paraparë të mbahen sot në gjykatat e Kosovës.

Ndonëse që të tre janë për vepra të ndryshme penale, e përbashkëta e këtyre gjykimeve është se të tri këto lëndë janë gjykime të shënjestruara për liberalizim të vizave.

Ish-gjyqtarja Safete Tolaj dhe djali i saj u paraqitën si të akuzuar në Gjykatën Themelore të Ferizajt.

Ish- gjyqtarja e Gjykatës Themelore të Pejës- Dega në Deçan, po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndryshe  nga ish-gjyqtarja Tolaj,  në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore të Prishtinës ishte paraparë të mbahej seanca ndaj avokatit Haxhi Çekaj.

Ky gjykim nuk u mbajt pasi që kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj, njoftoi se i akuzuari dhe avokati i tij e ka njoftuar se ende nuk kanë arritur të negociojnë marrëveshjen për pranim të fajësisë.

Seanca e radhës u caktuar më datë 16 të këtij muaji.

Po në Gjykatën Themelore të Prishtinës, por këtë herë në Departamentin e Përgjithshëm, sot u mbajt edhe seanca ndaj Kujtim Bucaliut dhe HIB Petrol.

Në gjykimin e sotëm në këtë rast është dhënë fjala përfundimtare e prokurorit ndërsa në seancën e radhës, më 15 maj, do të japë fjalën përfundimtare edhe mbrojtja dhe pala e dëmtuar.

Se kemi një përshpejtim të dinamikës së caktimit të lëndëve të shënjesturuara për liberalizim të vizave e konfirmon edhe koordinatori i Këshillit Gjyqësor të Kosovës për këto lëndë, Agim Maliqi.

“Ka një rritje të ndjeshme të dinamikës së këtyre lëndëve. Gjyqtarët kanë filluar të caktojnë lëndë të liberalizimit më shumë dhe po ashtu të përpilojnë plan të gjykimeve për të proceduar në mënyrë sa më të shpejtë”, tha Maliqi.

Maliqi tha se pret që brenda muajit të përfundojnë edhe dy-tri lëndë të shënjestruara. Megjithatë, tha se nuk ka ndonjë afat për përfundim të këtyre lëndëve.

“Kemi lëndë të reja si Sekseri, Mërgimtari apo ndërrimi të cilat janë në fazën fillestare dhe  duhet kohë më e gjatë për zgjidhjen e tyre”, tha Maliqi.

BIRN dhe Internews Kosova, në mars të këtij viti publikuan raportin me gjetjet në lidhje me rastet e shënjestruara në gjykatat e Kosovës me fokus te veçantë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku evidentohen vonesa të shumta në procedimin e këtyre lëndëve.

Njëri prej rekomandimeve të këtij raporti ishte që gjyqtarët të caktojnë seanca të njëpasnjëshme dhe më të shpeshta në rastet e shënjestruara.