Braathu viziton Beogradin, dakordohen për zgjedhje të qeta në komunat veriore

Shefi i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Europian (OSBE) në Kosovë, Jan Braathu gjatë ditës së sotme ka qëndruar në Beograd ku edhe është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq si dhe drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Sipas njoftimit të OSBE-së, takimi në fjalë ka qenë për procesin e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës.

“Ambasadori Jan Braathu zhvilloi një vizitë në Beograd për një shkëmbim të rregullt të pikëpamjeve. Me bashkëbiseduesit e tij, Drejtorin e OKiM-së Marko Djurić dhe MPJ Ivica Daçiq, ai diskutoi punën e Misionit të OSBE-së në Kosovë, në veçanti mbështetjen teknike të tij në zhvillimin e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme të kryetarëve të komunave në Kosovën e veriut”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në njoftim bëhet e ditur që të gjithë pjesëmarrësit ranë dakord mbi nevojën për një mjedis të qetë zgjedhor dhe procesin e votimit të rregullt.

Zgjedhjet në katër komunat veriore do të mbahen më 19 maj, ndërsa vijnë pas dorëheqjeve të katër kryetarëve në shenjë pakënaqësie për vendosjen e taksës 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnjës.