Takimi i Ian Braathu me Dardan Gashin | Foto: Ministria e Diasporës

Braathu: Të Shtyhet Përpara Reforma Zgjedhore

Zëvendëskryeministri Dardan Gashi priti në takim ambasadorin e OSBE-së, Ian Braathu me të cilin bisedoi për reformën zgjedhore dhe pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhjet e Republikës së Kosovës.

“Urime për detyrat e reja dhe shpresoj që në këtë mandat të shtyhet përpara reforma zgjedhore dhe pjesëmarrja e diasporës të jetë më e lartë se deri më tani”, ka porositur, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ian Braathu.

Nga ana tjetër, Gashi e ka informuar ambasadorin për proceset e qeverisë dhe Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

“Po besojmë që zgjedhjet e ardhshme do të mbahen pas reformave zgjedhore që duhet të bëhen. Me reformat zgjedhore do të rregullojmë dhe formën e votimit të diasporës e cila merr pjesë në numër më të vogël se 10% në procesin zgjedhor”, ka thënë Gashi.

Siç njoftohet në komunikatë, gjatë takimit u fol dhe për rolin e diasporës kosovare në tërheqjen e investimeve strategjike në Kosovë./21Media