Foto: Kallxo.com

BQK: Rritja ekonomike për vitin 2019 pritet të jetë 4.2%

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) në një konferencë përmbyllëse të fundvitit tha se pritet rritja ekonomike prej 4.2 përqind  vitin e ardhshëm.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, deklaroi se BQK po e përmbyll një vit të suksesshëm pasi që, sipas tij, sistemi bankar në vend është i shëndoshë.

“Vlerësimet preliminare rritja ekonomike në vend është 4% e mbështetur nga kërkesat e brendshme, ndërsa thellimi i deficitit tregtar ka ndikuar negativisht në ekonominë e vendit. Aspektet që kanë ndikuar pozitivisht janë rritja e remitencave, marrja e kredive nga bizneset private. Rritje të ngjashme ekonomike do të ketë edhe në vitin 2019 ku pritet të jetë 4.2%. Aktiviteti u sektorit bankar karakterizohet me rritje dhe shëndet të mirë financiar. Depozitat kanë arrit rritje mbi 6%. Norma efektive e interesit ka rënë në 6.6%. Sa i përket treguesve të shëndetit financiar kemi vetëm 2.7% të kredive joperformuese”, tha Mehmeti.

Guvernatori i BQK-së tha se në sektorin e sigurimeve, janë rritur pagesat për dëmet, ku shtoi se BQK po vazhdon të mbështet të drejtat e konsumatorit.

“Sa i përket sektorit të sigurimeve kemi rritje të pagesës së dëmeve. Kjo ka ndikuar në rritje të përgjegjësisë se sektorëve të sigurimeve ndaj të siguruarve. BQK me gjitha kapacitet e saj ka vazhduar të jetë mbështetës i zhvillimit të institucioneve financiare me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve”, tha Mehmeti.

Lidhur me grabitjen e shumtë të bankave kohëve të fundit, ai tha se kjo po i shkakton humbje Kosovës dhe po ndikon negativisht në ardhjen e investimeve të huaja.

BQK në këtë rast ndau çmimet “ Ekonomisti i vitit”, ku Jeton Zogiani i mori vendin e parë, Venera Ratkoceri mori çmimin e dytë, ndërsa me vendin e tretë është shpërblyer Bedri Hasanaj.