BQK flet për përleshjen ku ishte i përfshirë Gani Thaçi

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) është deklaruar për Kallxo.com në lidhje me incidentin ku ishte i përfshirë Gani Thaçi, vëllau i presidentit Hashim Thaçi, i cili është drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS).

Byroja Kosovare e Sigurimit dhe anëtarët sigurues të saj, konform ligjit, i nënshtrohen mbikëqyrjes së BQK-së.

BQK ka thënë se është në dijeni në lidhje me incidentin i cili ka ndodhur në ambientet e BKS-së.

“Lidhur me pyetjet e parashtruara, ju informojmë se BQK-ja është në dijeni për incidentin e ndodhur në Byronë Kosovare të Sigurimit”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për Kallxo.com.

Po ashtu BQK për Kallxo.com ka theksuar se pasi të merren me rastin organet kompetente, BQK do të marrë veprime duke u bazuar në kompetencat e saj.

“Për aq sa BQK-ja ka informata, me rastin në fjalë janë duke u marrë organet kompetente, ku pas përfundimit të këtij procesi dhe posedimit të informatave lidhur me këtë rast, BQK-ja do të ndërmarrë veprime duke u bazuar në kompetencat e saj, si dhe legjislacionin në fuqi”, vazhdon përgjigja e BQK-së për Kallxo.com.

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 7 shtator të vitit 2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Nga kjo, rezulton se funksionet e BKS-së janë të përcaktuara sipas Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, Kreu III, Neni 29.

Byroja Kosovare e Sigurimit është organizatë me cilësinë e personit juridik e themeluar për qëllime jofitimprurëse.

Qeveria e Republikës së Kosovës i njeh Byrosë Kosovare të Sigurimit, statusin e Byrosë Nacionale të Sigurimit me të drejta të pakufizuara, në cilësi të byrosë paguese dhe byrosë trajtuese, që garanton përmbushjen e të gjitha detyrimeve nga sistemi i kartonit ndërkombëtar të sigurimit.

Në kuadër të Byrosë Kosovare të Sigurimit funksionon Fondi i Kompensimit, Sigurimi Kufitar, Qendra Informative e Sigurimit dhe Kartoni i Gjelbër.

Përndryshe, BKS nuk është institucion qeveritar apo publik që financohet nga buxheti i Republikës të Kosovës, por financohet plotësisht nga Kompanitë e Sigurimit në Kosovë, të cilat funksionojnë si shoqëri tregtare, konform Ligjit mbi shoqëritë tregtare, Ligjin mbi Sigurimet, si dhe Ligjin mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës e ka konfirmuar një incident i cili ka ndodhur rreth mesditës në Prishtinë në të cilin, siç kanë raportuar mediat, ka qenë i përfshirë Gani Thaçi, vëllai i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, tha për KALLXO.com se policia ka marrë një informacion për një përleshje fizike mes tre personave.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore të cilat konform rekomandimeve të prokurorit të shtetit i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes, po ndërmarrin veprimet e mëtutjeshme hetimore e procedurale”, tha zëdhënësja e Policisë.

Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë e konfirmoi gjithashtu se vëllai i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gani Thaçi, ka qenë i përfshirë në një përleshje në mjediset e Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, konfirmoi për KALLXO.com se Gani Thaçi bashkë me vozitësin e tij janë duke u hetuar si i dyshuar për këtë incident.

“Të dyshuarit janë Gani Thaci dhe shoferi i tij. I dëmtuar është z. Blerim Pushkolli. Rasti është inicuar si sulm. Ende nuk është marrë vendim për paraburgim”, tha Berisha për KALLXO.com.

Vëllai i Presidentit Hashim Thaçi, Gani Thaçi, është liruar në procedurë të rregullt nga Policia.

Sipas burimeve të KALLXO.com, Thaçi është intervistuar dhe më pas është liruar.

Gani Thaçi është intervistuar nën cilësinë e të dyshuarit, pasi ishte përfshirë në një përleshje që ka ndodhur në Byronë Kosovare të Sigurimeve ku edhe punon Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar rreth incidentit ku ishte i përfshirë vëllai i tij, Gani Thaçi.

Ai tha se është njoftuar për përfshirjen e vëllait të tij në një “përleshje sporadike fizike”.

Thaçi tha se asnjëherë nuk do ta arsyetojë asnjë veprim të kundërligjshëm të askujt, aq më tepër në një rast si ky.

“Të qenit familjar i një zyrtari të lartë nuk nënkupton imunitet dhe amnisti për askënd. Përkundrazi. Përgjegjësia është individuale. I ftoj organet e rendit që ta trajtojnë rastin në përputhje me ligjin”, ka theksuar presidenti.