Foto: ShBK

Botuesit kosovarë në panairin e librit në Frankfurt

Shoqata e Botuesve të Kosovës (ShBK) do të marrë pjesë në edicionin e 70-të të Panairit të Librit në Frankfurt të Gjermanisë.

Panairi i sivjetmë i Frankfurtit do të mbahet nga 10 deri më 14 tetor 2018.

Tash e disa vite botuesit kosovarë marrin pjesë nën ombrellën e ShBK-së në këtë panair, që konsiderohet si mjaft me rëndësi për promovimin e produksionit letrar kosovar në botë.

Përveç botimeve më të reja, ShBK-ja do të ketë edhe disa aktivitete gjatë ditëve të panairit, si shënimin e përvjetorit të Skënderbeut, figurës së Adem Demaçit, etj.

Nuk do të mungojë edhe prezenca e autorëve shqiptarë në këtë panair, librat e të cilëve prezantohen në stendën e ShBK-së, si: Adem Gashi, Çun Lajci, Marigona Kelmendi, Halil Matoshi e Haxhi Kraki.

Ndërkaq, ShBK në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë në Gjermani do të prezantojnë dhe mbajnë promovime librash të rinj.

Panairi i Librit në Frankfurt llogaritet si një ndër panairet më të rëndësishme të librit në mbarë botën.