Botohet numri i ri i revistës ‘Metafora’ nga Lidhja e Shkrimtarëve

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ka botuar numrin e ri të revistës së saj letrare, “Metafora”, të parin për këtë vit.

Ky numër shënon edhe 10 vjetrin e botimit të kësaj reviste, e cila boton shkrime kritike e letrare,  të anëtarëve të LSHK-së, por edhe shkrimtarë të njohur shqiptarë dhe të huaj.

Pjesa dërmuese e shkrimeve që janë përfshirë në numrin më të ri të “Metaforës” i janë kushtuar shkrimtarit të ndjerë Fatos Arapi, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar.

Shkrimet e këtij numri kushtuar Fatos Arapit janë shkrime që janë prezantuar gjatë takimeve letrare ‘Esad Mekuli” të mbajtura në fund të vitit që shkoi dhe iu kushtuan Arapit.

Janë përshirë edhe shumë poezi, proza, ese, recensione dhe një interviste e huazuar të Osualdo Ferrarit me Jorg Lusi Borges.

Në fillim të revistës është edhe një shkrim kushtuar anëtarit të LSHK-së dhe redaksisë së “Metaforës”, Avdyl Kadolli, që ndërroi jetë në prill të këtij viti.