Botohet libri ‘Kosova gjatë viteve 1912-1915’ i Shpend Avdiut

Instituti Albanologjik ka botuar ditë më parë librin “Kosova gjatë viteve 1912-1915”, të historianit  Shpend Avdiu, libër i cili trajton çështjet kryesore historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova përgjatë këtyre viteve.

Periudha e trajtuar në këtë libër historiografik nga fillimi i Luftës së Parë Ballkanike e deri në fillim të Luftës së Parë Botërore, është ndër periudhat më të rëndësishme të historisë së fillim shekullit XX për popullin  shqiptar dhe për popujt tjerë ballkanikë, në veçanti për historinë e Kosovës.

Në hyrje të këtij libri autori shkurtimisht i ka trajtuar veçoritë kryesore të zhvillimeve politiko-ushtarake në Vilajetin e Kosovës përgjatë viteve 1908-1912.

Në vazhdim është trajtuar Kosova gjatë Luftës së Parë Ballkanike, Konferenca e Ambasadorëve në Londër 1912-1913, si dhe zhvillimet tjera politike në shtetit serb dhe në vendet tjera ballkanike që ishin të ndërlidhura me zhvillimet në Kosovë.

Ndërsa përmbledh edhe materiale të pabotuara më parë për zhvillimet e asaj kohe.

Objekt studimit i këtij botimi historiografik janë edhe zhvillimet e kryengritjeve antiserbe në Kosovë 1913-1915, administrimi, kolonizimi, shpërnguljet, dhe pasojat e tjera siç janë krimet shtetërore, konvertimi i dhunshëm nga feja myslimane dhe katolike në atë ortodokse, etj.