Botohet libri ‘Fjalori i medieve’ i Qemal Muratit

Libri është fryt i vëzhgimeve shumëvjeçare të dr. Qemal Muratit, mbi gjuhën e medieve të shkruara dhe elektronike shqipe.

I ndarë në tri pjesë “Fjalori i medieve”, pasqyron fjalëkrijimet e reja, huazimet leksikore në mediet shqipe.

Pas ndryshimeve politike, që përcollën hapësirën shqiptare në përgjithësi, në dy dekadat e fundit, shkruhet në parathënien e këtij libri, që përfshinë hapësirat shqiptare, lulëzoi një publicistikë e larmishme nga format e shprehjes dhe e shumtë për nga numri – dhjetëra e dhjetëra gazeta e revista, televizione e radio, si dhe rrjete të shumta sociale – që ka sjellë një qarkullim të paparë të fjalës shqipe të shkruar dhe të folur.

Në këtë fjalor është përfshirë një korpus fjalëkrijimesh të fushave të ndryshme të leksikut konkret e abstrakt, diku rreth 1060 fjalë e shprehje të reja (neologjizma), mbi 750 fjalë dhe shprehje idiomatike të hyra këto kohët e fundit nga anglishtja e italishtja, dhe rreth 130 shprehje të kalkuara.

Fjalori dëshmon mundësitë potenciale të gjuhës shqipe për formimin e fjalëve me vlera të reja semantike e stilistike, ndërkaq pasqyron pasurimin e madh që i vjen gjuhës nga ana e publicistikës.

Fjalori ka dal nga shtypi pak kohë më parë, kurse është botuar nga Instituti Trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve në Shkup.