Policia duke pritur një të dyshuar të ekstraduar në aeroportin e Sarajevës muajin e kaluar. Foto: Prokuroria boshnjake.

Bosnja Pret Ekstradimin e 9 të Dyshuarve për Krime Lufte

Bosnja dhe Hercegovina po pret ekstradimin e nëntë të dyshuarve të tjerë për krime lufte, pasi tashmë, sipas vlerësimeve, 28 të tjerë janë dërguar për t’u përballur me akuzat.

Shumica e personave të ekstraduar në vend deri më tani kishin jetuar në SHBA.

Sipas gjykatës shtetërore të Bosnjës, aktualisht janë të paktën 20 urdhër arreste aktive për të dyshuar për krime lufte që besohet se jetojnë jashtë vendit.

Disa prej urdhër arrestimeve janë pothuajse të para dhjetë viteve, përfshirë edhe urdhrin për arrestimin e Rajko Kusiqit, ish-komandant i Brigadës Rogatica të Ushtrisë Serbe të Bosnjës.

Ndërkohë që disa të dyshuar ekstradohen disa muaj pas arrestimit të tyre, ekstradimet e të tjerëve ndonjëherë zgjasin me vite.

Një rast i tillë është ai i Radomir Susnjar, ekstradimi i të cilit nga Franca është pritur për tre vjet.

Para një viti, një gjykatë në Paris miratoi ekstradimin, por prokuroria boshnjake nuk pranoi t’i tregonte BIRN pse ai nuk është dërguar ende në Sarajevë.

Shushnjar dyshohet se ka marrë pjesë në arrestimin e boshnjakëve në një shtëpi në rrugën “Pionirska” në Vishegrad në korrik 1992 dhe në djegien e mëvonshme të shtëpisë.

Më shumë se 60 civilë boshnjakë nga Vishegradi, mes tyre gra dhe fëmijë, vdiqën pasi shtëpisë në rrugën “Pionirska” iu vu zjarri.

Sipas prokurorisë, ushtarët hapën zjarr mbi viktimat që po përpiqeshin të arratiseshin. Vetëm disa njerëz i mbijetuan flakëve.

Shushnjar ishte fshehur në Francë për vite me radhë, derisa ai u arrestua në prill 2014, kur prokuroria boshnjake njoftoi se do të kishte një “ekstradimi të shpejtë”.

Një prej të dyshuarve më të fundit që u ekstradua ishte Elfete Veseli, e cila u kthye nga Zvicra muajin e kaluar për t’u përballur me akuzat.

Ajo dyshohet për përfshirje në vrasjen e një djali 12-vjeçar serb në zonën e Zvornikut në vitin 1992.