Bosnja Arreston Policin Serb për Vrasjet e Boshnjakëve

Agjencia Shtetërore për Investigim dhe Mbrojtje ditën e hënë arrestoi Karagiç, i njohur ndryshe si Karaga, ish-lideri i njësisë “Beretat e Kuqe” e cila ishte pjesë e qendrës së sigurisë publike në Doboj, me dyshimin se ka marrë pjesë në sulmin ndaj dhe pushtimit të qytetit në fillim e maj të vitit 1992.

Anëtarët e njësisë së tij arrestuan civilë boshnjakë dhe kroatë dhe, me urdhër të tij, i mbajtën ata në hangarë në fabrikën Bosanka në Usora në komunën Doboj, tha prokuroria e shtetit në një deklaratë.

Njësia e tij vrau gjithashtu edhe të paktën 12 boshnjakë, pretendohej në deklaratën e prokurorisë.

“Ai është i dyshuar për vrasjen e të paktën 12 viktimave boshnjake të cilët u morën nga burgu Spreca në Doboj, u çuan në një drejtim të panjohur dhe u vranë me armë zjarri në maj të vitit 1992. I dyshuari ishte i pranishëm gjatë vrasjeve në cilësinë e tij si komandant i njësisë “Beretat e Kuqe”,” thuhej në të.

Karagiç, i dyshuar se shoqërohej edhe nga të tjerë, dyshohet gjithashtu se ka përdhunuar dy minorenë boshnjakë në verën e vitit 1992.

Ai po hetohet edhe për shkatërrimin e një xhamie në fshatin Miljkovac në komunën Doboj, e cila u hodh në erë me eksploziv në maj 1992.

Një prokuror do të marrë në pyetje të dyshuarin dhe më pas do të vendosë për masat e mëtejshme në këtë çështje.