Boshnjakët në Srebrenicë Kërcënojnë me Bojkot të Shkollës
Prindërit thanë se nxënësit boshnjakë në shkollën fillore në Srebrenicë duhet të marrin dëftesat ku të shënohet qartë se ata kanë ndjekur mësime në gjuhën boshnjake dhe jo ‘të Bosnjës’ dhe kërcënuan se do t’i heqin fëmijët e tyre nga shkolla, nëse kjo gjë nuk bëhet.
“Ne jemi e vetmja shkollë në rajon ku dëftesat nuk u shpërndahen rregullisht nxënësve,” tha për BIRN Alija Tabakoviq, një banor i Srebrenicës fëmijët e të cilëve shkojnë në shkollën fillore.
“Kemi biseduar me drejtorin dhe kemi shenja serioze se kjo mund të varet nga fakti se Ministria e Arsimit e Republikës Serbe ka ndërmend t’i referohet gjuhës si ‘e Bosnjës’ dhe jo ‘boshnjake’. Nëse dyshimet tona konfirmohen, ne do të fillojmë të bojkotojmë mësimin,” tha Tabakoviq.
Boshnjakët që u kthyen në Republikën Serbe kanë protestuar për muaj me radhë për përkufizimin zyrtar të gjuhës së tyre, sidomos pasi Ministria e Arsimit e entitetit vendosi ta quajë atë ‘e Bosnjës’ në kartat shkollore të lëshuara në qershor të vitit 2015.
Dëftesat shkollore që duhet të shpërndaheshin në fund të vitit 2015 për rreth 250 fëmijë boshnjakë në shkollën fillore në Srebrenicë nuk janë shpërndarë ende.
Kushtetuta e Bosnjës dhe Hercegovinës thotë tre gjuhët zyrtare të vendit janë ato boshnjake, kroate dhe serbe.
Por kushtetuta e Republikës Serbe thotë se gjuhët zyrtare të entitetit janë ato “të serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve”.
Shumë boshnjakë mendojnë se gjuha e tyre duhet të përkufizohet si “boshnjake” sepse kjo do të rikonfirmonte ekzistencën e një trashëgimie të përbashkët kulturore dhe historike në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Por autoritetet në Republikën Serbe parapëlqejnë të fokusohen në ekzistencën e tre popujve të ndryshëm – serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve me gjuhët e veta.
Debati mbi dëftesat shkollore tashmë është një mosmarrëveshje më e gjerë mbi të drejtat e boshnjakëve në sistemin arsimor në Republikën Serbe.
Që prej vitit 2013, shumë familje boshnjake në zonat e Kotor Varoshit dhe Konjevic Poljes të entitetit me shumicë serbe kanë bojkotuar shkollat, duke u shprehur se të drejtat e tyre për t’u mësuar fëmijëve “lëndët e tyre kombëtare” po shkeleshin.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë një grup lëndësh jepen sipas përkatësisë etnike të nxënësve, duke përfshirë gjuhën, historinë dhe fenë.
“Është e qartë se boshnjakët dhe fëmijët e tyre në Republikën Serbe nuk janë në të njëjtën pozitë si ‘shtresa e parë’ e popullit, me fjalë të tjera si serbët,” tha për mediat vendase Edin Ikanoviq, koordinator i “1 Marsit”, një OJQ-je të angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të të kthyerve në Republikën Serbe.
Por Ministria e Arsimit e Republikës Serbe mohoi që nxënësit të jenë duke vuajtur nga diskriminimi në shkolla.
“Çdo fëmijë në Republikën Serbe ka të drejta dhe mundësi të barabarta kur është fjala për arsimin,” tha për BIRN zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit Branka Rogaç.
Rogaç gjithashtu këmbënguli se e drejta ligjore për të studiuar “lëndët kombëtare” jepet në klasa me më shumë se 18 nxënës dhe se shkollat në Kotor Varosh dhe Konjevic Polje nuk e plotësojnë këtë kusht.
Ajo tha se në vitin shkollor 2014-2015, rreth 2,190 fëmijëve në Republikën Serbe iu dha kjo e drejtë.
Më 15 dhjetor, një gjykatë në Kotor Varosh hodhi poshtë një ankesë nga prindërit e rreth 150 fëmijëve boshnjakë nga fshati Vrbanjci, të cilët po përpiqeshin të detyronin Ministrinë e Arsimit të Republikës Serbe të fusë “lëndët kombëtare” boshnjake në shkollën e tyre fillore, të cilën ata e kanë bojkotuar për dy vjet.
Sipas mediave lokale, ata u urdhëruan gjithashtu të paguanin rreth 3.400 euro shpenzime gjyqësore.
Muhidin Omeroviq, një i rikthyer boshnjak në Konjevic Polje, një fshat i vogël pranë Srebrenicës, shprehu pakënaqësi për zhvillimet e fundit.
“Autoritetet e Republikës Serbe nuk po bëjnë asgjë për të na ndihmuar dhe nuk ka asnjë shenjë se ata do të bëjnë së shpejti ndonjë ndryshim në situatën ekzistuese,” tha Omeroviq për BIRN.
Pothuajse si çdo familje tjetër boshnjake në Konjevic Polje që nga tetori 2013, Omeroviq ka bojkotuar shkollën fillore vendase, ku lëndët mësohen sipas kurrikulimit mësimor të Republikës Serbe.
Në vend të kësaj, ai i ka çuar fëmijët e tij në një qendër arsimore të improvizuar në Nova Kasabën aty pranë, ku atyre u jepet mësim nga nxënës nga kantoni i Sarajevës, jashtë sistemit arsimor të Republikës Serbe.
“Nuk do t’i çoj në asnjë mënyrë fëmijët e mi në shkollën fillore në Konjevic Polje, nëse Ministria e Arsimit e Republikës Serbe nuk gjen një zgjidhje,” tha ai.