Borxhi Shkaktar i Dy Plagosjeve në Gjilan

Tefik Rakaj e Skënder Sadiku kishin mbetur të plagosur në tentativën e tyre që duke e sulmuar borxhliun të arkëtonin borxhin prej 12 mijë eurosh nga Fadil Ramadani.

Incidenti  është përshkruar në aktakuzën e Prokurorisë së Gjilanit e cila përshkruan ngjarjen e  datës 27 mars 2016.

Dy të plagosurit, sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshjeje e  kishin sulmuar Fadil Ramadanin, ndërsa ky i fundit gjatë përleshjes kishte nxjerrë revolen dhe me të njëjtën kishte plagosur Rakajn dhe Sadikun.

Në gjykimin i cili është mbajtur të martën në Gjilan, të gjithë të akuzuarit kanë mohuar fajësinë duke i mohuar akuzat që ju vihen në barrë.

Për të argumentuar se incidenti nuk kishte motiv borxhin, mbrojtja kishte ftuar në gjykatë dëshmitarin Njazi Shaqiri.

“Me Fadilin, Tefikun jemi takuar në fund të qytetit jashtë në Hotelin ‘Kristal’,… në këtë hotel nuk kemi biseduar rreth ndonjë borxhi,” deklaroi dëshmitari.

Të thirrur për të mbrojtur interesat e klientëve të tyre, avokatët mbrojtës kanë mohuar çdo mundësi që klientët e tyre të jenë të përfshirë në rast.

Avokati Ymer Huruglica, mbrojtës i Fadil Ramadanit, ka ngritur pretendimet se klienti i tij nuk është përgjegjës për gjuajtjen me armë.

“Mbrojtja konsideron se në raport me të akuzuarin Fadil Ramadanin përkitazi me veprën në pikën 1 të aktakuzës, nuk ekziston një dyshim i bazuar mirë se ky i akuzuar ka kryer veprën penale. Provat që pretendohen se është mbështetur kjo aktakuzë nuk e vërtetojnë këtë,” tha Ymer Huruglica.

Pretendime se klientët e tyre nuk janë përfshirë në incident ngritën edhe mbrojtësit e Tefik Rakës e Skënder Sadikut

“Provat që janë në shkresat e lëndës të dhënë nga ana e prokurorit mendojmë se  assesi nuk vërtetojnë pretendimin e aktakuzës së përmendur,” tha avokati Fahredin Ymeri, mbrojtës i Tefik Rakës.

“Gjatë këtij shqyrtimi do të provojmë pafajësinë e të mbrojturit tim, sepse i njëjti nuk e ka kryer veprën penale e cila po i vihet në barrë,” tha avokati Begzad Hajrullahu mbrojtës i Skender Sadikut.

Gjykimi për çështjen pritet të vazhdojë në datën 14  nëntor, ditë kur gjykata ka paraparë të thërrasë disa dëshmitarë.