Boris Johnson - Foto: Atdhe Mulla

Mesazhet Direkte të Britanisë për Kosovën

I kthyer në Kosovë pas 17 viteve, gazetari i dikurshëm që tani është një ndër politikanët më të rëndësishëm britanikë, Boris Johnson, tha se është mahnitur me ndryshimet që ka parë në një vend të cilin e kishte gjetur të shkatërruar e në tym në qershorin e vitit 1999.

Johnson, i cili tani është Sekretar i Jashtëm i Britanisë së Madhe, erdhi në Kosovë për t’u takuar me drejtues të institucioneve të vendit ndërsa mbajti një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Në fillim ai kujtoi dilemat që ia kishte parashtruar vetes kur e kishte parë Kosovën në gjendjen e ditëve të para të hyrjes së trupave paqeruajtëse të NATO-s.

“Në atë kohë pyesja veten çfarë e ardhme e pret këtë vend të lashtë e të bukur. Pyesja veten a do të mund të lindte një demokraci funksionale nga ato vuajtje”, rikujtoi Jonhson para deputetëve.

Diplomati e politikani jokonvencional britanik tha se është krenar që shteti i tij ka qenë ndër të parët që e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, por ua kujtoi liderëve të vendit detyrat që duhet t’i kryejnë për t’u dalë zot punëve në krye të shtetit.

“Detyra për të qeverisur mbetet në duart tuaja dhe pasojat të cilat lëvizin nga ai realitet janë momentale dhe sfiduese. Procesi i reformave në Kosovë nuk mund të stagnojë. Partitë politike duhet të përpiqen t’u shërbejnë interesave të qytetarëve. Njerëzit kanë një obligim dhe të drejtë që neve, përfaqësuesve të zgjedhur, të na kërkojnë llogari. Emërimi i njerëzve sipas meritës, nëse jeni një student i mirë e i zellshëm, duhet të avancohemi e jo të mbesim peng i atyre që kanë lidhje”, tha Johnson duke iu drejtuar kryeministrit Isa Mustafa.

Në këtë drejtim, ai tha se ndihet i lumtur që Britania e Madhe ka marrë përsipër një rol ndihmues në përzgjedhjen sipas meritës të anëtarëve nëpër bordet e ndërmarrjeve publike.

Por ai është shprehur i zhgënjyer se në Kosovë nuk po shihen lëvizje në krijimin e vendeve të reja të punës.

“Ne e mbështesim krijimin e vendeve të punës dhe jam shumë i zhgënjyer që nuk ka lëvizje në këtë drejtim sepse me gjithë qejf do të shkoja në qendrën e skijimit në Brezovicë për të skijuar në pistë”, tha ai.

Johnson e ngriti publikisht një çështje të cilën deri më tani nuk e ka përmendur asnjë politikan britanik- atë të kriminalitet të shqiptarëve në Britani.

Për ta adresuar këtë çështje ai kërkoi mbështetje nga Kosova.

“Mund të bëjmë shumë së bashku si partnerë. Kemi një sfidë të përbashkët kundër terrorizmit, kundër ekstremizmit të dhunshëm, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne duhet t’i luftojmë së bashku këto kërcënime. Në Britani të Madhe kemi problem me grupet kriminale të shqiptarëve etnikë dhe duhet të bashkëpunojmë që ta luftojmë këtë problem”, tha ai.

Boris Johnson kërkoi vazhdimin e dialogut me Serbinë, premtoi se shteti i tij do ta mbështesë funksionimin e Gjykatës Speciale, ndërsa ngushëlloi familjen dhe miqtë e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, të vdekur ditë më parë në qendrën e paraburgimit në Prizren në rrethana ende të pasqaruara.