Bordi i Telekomit i reagon ministrit Lluka rreth deklaratave për nepotizëm në PTK

Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës përmes një deklarate publike ka reaguar ndaj deklaratave publike të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Vladrin Lluka rreth nepotizmit në PTK.

Përmes këtij reagimi, Bordi i drejtorëve të Telekomit bën të ditur se deklaratat politike të ministrit të MZHE, Valdrin Lluka besojnë se janë shumë tendencioze, duke pasur parasysh sipas tyre, që Telekomi i Kosovës është në periudhën e marrjeve të vendimeve shumë të rëndësishme që mundësojnë afarizëm normal të kompanisë në të ardhmen.

“Telekomi i Kosovës është në fazën e shqyrtimit të kontratës me Z Mobile, e cila për vite me radhë e ka rënduar funksionimin normal të Telekomit të Kosovës dhe që e ndikon afarizmin financiar negativisht me miliona euro. Jemi në dijeni që edhe çështjet tjera që po diskutohen janë të rëndësishme, por impakti financiar është minor, karshi me problemet reale që i ka Telekomi i Kosovës. Ne në vazhdimësi kemi kërkuar bashkëpunim prej ministrit Lluka, por përveç që nuk është përgjigjur pozitivisht, për më tepër nuk na ka njoftuar zyrtarisht për shumë çështje, të cilat janë të rëndësishme për Bordin dhe kompaninë në tërësi dhe kanë ndikim në vendimmarrjen e drejtë dhe në interes të Telekomit të Kosovës”, bëhet e ditur në deklaratën e Telekomit të Kosovës.

Më tej në këtë reagim të Bordit të drejtorëve të Telekomit thuhet se deklaratat e ministrit Valdrin Lluka, përveç tjerash po e dëmtojnë afarizmin e kompanisë, duke ndikuar në uljen e satisfaksionit të konsumatorëve dhe dyshojmë që këto deklarata mund të jenë të lidhura edhe me procesin e privatizimit, të cilin ministri Valdrin Lluka e ka paralajmëruar.

“Është me rëndësi të ceket që edhe shumë media, të cilat po e targetojnë Telekomin e Kosovës duke e sulmuar publikisht, le të jenë në dijeni që po e ndikojnë negativisht në satisfaksionin e konsumatorit dhe direkt po e dëmtojnë shumë afarizmin e kompanisë. Shpresojmë që edhe sulmi i mediave (jo të gjithave) mos të jetë me qëllime të tjera duke pasur parasysh që shumë nga këto media, në të kaluarën kanë përfituar kontrata shuma milionëshe ndër vite me Telekomin”, thuhet më tutje në deklaratë.

Në reagim poashtu thuhet se dëmtimi i afarizmit të Telekomit siç bëhet e ditur në komunikatë mund t’i shërbejë interesave të subjekteve të ndryshme që mund të kenë pretendime ndaj dhe nga Telekomi, andaj Bordi i drejtorëve të Telekomit kërkon që të përmbaheni nga deklarimet e tilla që po e dëmtojnë të ardhmen e Telekomit të Kosovës.

https://kallxo.com/video-ministri-valdrin-lluka-flet-per-nepotizmin-ne-telekom/

.