Ilustrim

Bordi i 'Hortikulturës' ka marrë 1700 euro pa miratimin e Komunës së Prishtinës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se Bordi i Ndërmarrjes Publike “Hortikultura” ka marrë 1700 euro pa miratimin e aksionarit të kësaj ndërmarrje që është Komuna e Prishtinës.

Sipas Ligjit për Ndërmarrje Publike, honorari themelor për drejtorët e Ndërmarrjes Publike përcaktohet me një vendim të komisionit përkatës Komunal të Aksionarëve. Po ashtu, me ligj parashihet që “NP është përgjegjëse për pagesën dhe kompensimin për drejtorët e saj vetëm nga pagesat e parapara me vendimin e aksionarit. Drejtorët e NP nuk do të marrin asnjë kompensim ose përfitim tjetër nga NP”.

Mirëpo, gjatë rishikimit të pagesave për Bordin e Drejtorëve të NP ‘Hortikultura’, është vërejtur se janë bërë pagesa në kundërshtim me nenin në fjalë, për kompensim të honorarëve nga 50 euro për çdo mbledhje të mbajtur shtesë, përveç asaj që është caktuar nga aksionari.

Pagesat e tilla për mbledhjet e mbajtura për muajt nëntor/dhjetor 2018 arrijnë totalin 1,700 euro për katër anëtarët e bordit.

Pagesat janë ekzekutuar sipas vendimit të datës 30 nëntor 2018, i nxjerrë nga Komisioni i Auditimit dhe pa miratimin paraprak të aksionarit.

“Këto pagesa janë bërë për shkak të punës së tyre shtesë, për hartimin e rregulloreve të brendshme të ndërmarrjes”, thuhet në raportin e auditimit.

Sipas Auditorit, pagesa të tilla në kundërshtim me ligjin si dhe ekzekutimi i vendimeve për pagesa shtesë pa aprovimin e aksionarit rrit rrezikun e menaxhimit jo të duhur të mjeteve financiare të Ndërmarrjes.

“Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj se vendimi për kompensimin e punëve shtesë të anëtarëve të bordit paraprakisht të jetë miratuar nga Aksionari, në të kundërtën të mos bëhen pagesa tjera përveç atyre që u takojnë si kompensime të rregullta”, theksohet në rekomandimin e Auditorit.