Bora në Moskë - Foto: Rtv21

Bora e Madhe Shkakton Kaos në Moskë

Moska po përballet me stuhinë me të fuqishme të borës pas gati 100 vjetësh.

Gjatë 24 orëve të kaluara, nga rrugët e kryeqytetit të Rusisë janë larguar 1.2 milion kub borë.

Zëvendës-prefekti i Moskës, Pjotër Birjukov, tha se një sasi kaq e madhe e borës ka rënë për herë të parë pas 100 vjetësh.

Si pasojë e reshjeve të dendura të borës, 18 qarqe në Moskë kanë mbetur pa furnizim me rrymë.

Autoritetet kanë raportuar për së paku një të vdekur dhe për pesë persona tjerë që kanë pësuar lëndime.

Birjukov qartësoi se për pastrimin e borës do të nevojiten së paku nëntë ditë, nëse çdo gjë rrjedh sipas planit të autoriteteve.

Sipas mediave ruse, në terren ka dal edhe brigada e inxhinierisë e ushtrisë ruse, e cila po ndihmon në pastrimin e qytetit.

Nga aeroportet e Moskës janë anuluar mbi 100 fluturime.

Meteorologët kanë paralajmëruar se reshjet e borës në Moskë do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme dhe se do të shoqërohen me erëra me shpejtësi prej 36 kilometra në orë./21Media