
Dëmet nga bora dhe era e fuqishme në Istog
Bora e Era Shkaktojnë Kaos në Istog
Fotografitë që kanë ardhur në KALLXO.com flasin për një kaos në rrugët e kësaj komune. Në to shihen pjesë të kulmeve të garazheve të hedhura nëpër rrugë nga era e fuqishme që ka fryrë gjatë natën dhe po vazhdon të fryjë edhe në këto momente.
Situatën e rëndë në këtë komunë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe vetë kryetari i komunës, Haki Rugova.
“Është situatë jo e mirë. Bora dhe era e fuqishme ka bërë që disa rrugë të jenë të bllokuara me orë të tëra. Rrymë nuk ka në tërë Istogun”, tha Rugova.
Ai nuk ka mundur të flasë për shkallën e dëmeve për shkak se moti i lig, sipas tij, po ua bëjnë të pamundur ekipeve të komunës të dalin në teren për ta vlerësuar gjendjen.
Por Haki Rugova tha se nuk e ka shpallë gjendjen emergjente pavarësisht se thotë të jetë duke i bërë të gjitha punët sikur ajo të ishte e shpallur.
“Nuk është raportuar për prishje të objekteve të banimit dhe nuk ka pasur nevojë për ndonjë evakuim të njerëzve. Shërbimet mjekësore dhe ato të zjarrfikësve janë duke punuar”, tha ai.