Boiken Abazi Ironizon me Deputetët e VV që Nuk Nënshkruar Hetimin për Demarkacionin

Pas raportimit të KALLXO.com se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, Dukagjin Gorani dhe Faton Topalli nuk e kanë nënshkruar kërkesën për formimin e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar Demarkacionin, ka reaguar sekretari për marrëdhënie me jashtë i kësaj partie, Boiken Abazi.

Ai ka shkruar në “Facebook” se ndoshta këta deputetë po presin që të miratohet Demarkacioni e pastaj të japin nënshkrimin e tyre.

“Mos po presin këta tre deputetë njëherë të miratohet në Kuvend marrëveshja për “Demarkacionin” e pastaj të nënshkruajnë për Komisionin Hetimor për këtë “Marrëveshje” …? Le të themi që nuk besoj, por nuk do ishte keq të mos e shtynin më tutje nënshkrimin e tyre”, ka shkruar Abazi në “Facebook”.

KALLXO.com më herët raportoi se Gorani, Molliqaj dhe Topalli nuk e kanë nënshkruar nismën e Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e komisionit hetimor për marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

http://kallxo.com/gorani-molliqaj-e-topalli-nuk-nenshkruajne-per-komisionin-parlamentar-per-demarkacionin/

Marrëveshja për Demarkacionin pritet që të mërkurën të nxirret për votim në Kuvendin e Kosovës.