Boiken Abazi - Foto: Facebook

Boiken Abazi Deportohet nga Kosova

Policë civilë e kanë arrestuar sot anëtarin e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Boiken Abazi. Pasi është dërguar në stacionin policor, atij i është dhënë vendimi për largim me forcë nga territori i Republikës së Kosovës dhe se atij i ndalohet hyrja e sërishme në territorin e Republikës së Kosovës për një periudhë kohore prej dy vitesh,.

Në arsyetimin e këtij urdhri thuhet se Policia e Kosovës pas verifikimit të hyrje-daljeve në Kosovë ka konstatuar se Boiken Abazi për herë të fundit ka dalë nga territori i vendit më 3.2.2016 dhe se nuk ka të dhëna për hyrje të ligjshme në Kosovë pas kësaj date. “Andaj, i njëjti në mënyrë të paligjshme ka hyrë dhe qëndruar në Kosovë, në kundërshtim me Ligjin për të Huajt”, shkruan në urdhrin për largim me forcë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Lëvizja Vetëvendosje njofton se zyrtari i saj ka refuzuar ta nënshkruajë këtë vendim me arsyetimin se argumentet e paraqitura në të janë të pavërteta.

“Në vendimin policor shkruhet se Boiken Abazi ka dalë prej Kosovës në datën 03.02.2016 dhe nuk ka të dhëna për hyrje të ligjshme në Kosovë. Ky është një mashtrim i drejtpërdrejtë. Boiken Abazi ka hyrë legalisht në Kosovë, në të njëjtën ditë, duke qenë në shoqërimin e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërguti, dhe Ramadan Deliut, dhe duke kaluar kontrollin normal kufitar në pikën doganore të Morinës”, shkruan LVV në një komunikatë. [interaction id=”56e98e8c51c54f4063c93751″]

Sipas Vetëvendosjes, më pas Boiken Abazi është dërguar me shoqërim të policisë në zonën neutrale mes Kosovës e Shqipërisë.

“Atë nuk e kanë lejuar të marrë as veshjet e as dokumentet e gjësendet personale. Pra, Boiken Abazi është trajtuar si person i rrezikshëm, edhe pse askund në vendim nuk shkruhet se ai është person i rrezikshëm e se duhet trajtuar si i tillë”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se Abazi nuk është përballur me asnjë trup gjykues, nuk i është dhënë mundësia të ankohet, apo të apelojë vendimin që është marrë ndaj tij dhe nuk është lejuar të takohet me avokat – duke ia pezulluar kështu arbitrarisht edhe të drejtat e liritë themelore të përshkruara në konventat ndërkombëtare ku bën pjesë edhe Kosova.

Vetëvendosje kritikon pushtetarët e Kosovës se nuk i deporton shtetasit e Serbisë që ushtrojnë aktivitete në strukturat ilegale paralele në Kosovë, apo anëtarët e mafisë ballkanike që bashkëveprojnë me pushtetarët, por deporton një qytetar të Shqipërisë, “vetëm për angazhimet dhe aktivitetet e tij politike e kombëtare”.

Dren Kukaj

Pas Boiken Abazit, Policia ka arrestuar edhe aktivistin Dren Kukaj.

“Dren Kukaj është arrestuar në ambientet e stacionit policor numër 2 në Prishtinë. Kukaj, i cili është me profesion jurist, kishte shkuar në stacionin policor për të kërkuar sqarime për kidnapimin e Boiken Abazit, i cili u mor nga policët civilë në një lokal”, shkruan komunikata e LVV-së.

Dren Kukaj është dërguar në mbajtje, dhe i është dhënë masa e paraburgimit prej 48 orësh.

Avokati i Dren Kukajt është përpjekur të marrë të dhëna për këtë mbajtje, por policia ka refuzuar të përgjigjet.

KALLXO.com ka provuar të flasë edhe me zëdhënësin e PK-së, Baki Kelani, por ai nuk u është përgjigjur as telefonatave as mesazheve tona.