Bogdan Mitroviq sot në gjykatën e Prizrenit. Foto: Kallxo

Bogdan Mitroviq Përballet në Gjykatë me Dyshimet për Krime Lufte

I arrestuari si i dyshuar për krime të luftës, Bogdan Mitroviq, u njoh sot me akuzat për të cilat është ndaluar nga Policia dy ditë më parë.

75 vjeçari nga fshati Sopi i Suharekës është sjellë në gjykatë i lidhur në pranga ndërsa ka mohuar akuzat të cilat ia ka ngarkuar prokurori Elez Blakaj.

Ai dyshohet për krime lufte në rrethinën e Suharekës në pranverë të vitit 1999.

Mitroviq, baba i 6 fëmijëve, dyshohet për kryerje të veprave penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, krime të luftës në shkelje të rëndë të Nenit 3 të përbashkët për katër konventat e Gjenevës dhe krime të luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar, raporton Kallxo.com.

Mitroviq në gjykatë u deklarua se që nga paslufta nuk ka vendbanim të përhershëm. Ai tha se ka banuar në disa vende të Kosovës, ndërsa aktualisht tha se banon në Mladenovac të Serbisë.

Prokurori Special, Elez Blakaj, dha arsyet e tij për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

Blakaj, në gjykatë tha se ekziston dyshimi i bazuar se Mitroviq në bashkëkryerje më 2 prill 1999 ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet.

Prokurori tha se Mitroviq atë ditë kishte qenë në fshatin Sopi ku ishin vrarë 38 persona, ishte plaçkitur pasuria e këtij fshati, e pastaj popullata ishte dëbuar për në Shqipëri.

Sipas prokurorit, këtë më së miri e provon deklarata e dëshmitarit okular Xheladin Sadikaj, i cili kishte thënë se ka qenë prezent dhe për së afërmi i ka parë kryerjen e këtyre veprave penale.

“Vlen të ceket komunikimi me personin Arian Osman Elshani, i cili fillimisht njofton dëshmitarin Xheladin Sadikaj se po e thërrasin serbët, e në veçanti tani i pandehuri Bogi dhe më pas në ikje e sipër pas 50 metrave Ariani vritet”, tha prokurori Blakaj.

Prokurori theksoi edhe rrezikun e ikjes nga Kosova të të pandehurit, ngase deri më tani ka qenë i paarritshëm për organet e drejtësisë. Po ashtu tha se nëse Mitroviq gjendet në liri mund të ndikojë te dëshmitarët dhe të dëmtuarit të cilët janë nga fshati i tij, Sopia, emrat e të cilëve prokurori tha se nuk i ka përmendur “për t’i mbrojtur ata”.

Nga ana tjetër, avokati i Mitroviqit, Dejan Vasiq, i propozoi gjykatës që t’i caktohet ndonjë masë tjetër, e jo masa e paraburgimit e kërkuar nga prokurori.

Avokati Vasiq tha se nuk duhet t’i besohet dëshmisë së dëshmitarit Xheladin Sadikaj, ngase ai deklaratën e ka dhënë në muajin maj të këtij viti, dhe për këtë “ka pritur qe 17 vjet, kurse Mitroviq disa herë ka shkuar në fshatin Sopi si përfaqësues i serbëve të atjeshëm”.

“Çka ka pritur dëshmitari që nuk e ka lajmëruar në polici që 17 vjet edhepse të njëjtin e ka parë shpesh? Unë do t’u jap përgjigje. Arsyeja qëndron në faktin se zotëri Xheladini e ka uzurpuar pasurinë e zotëri Mitroviqit. Në lokalin e Bogdanit, Xheladini edhe sot e mban qebaptoren e tij dhe furrën e tij”, tha avokati Vasiq.

Avokati tha se Mitroviq nuk është kthyer në fshatin Sopi ngase nuk ka mundur t’i kthejë paluejtshmërite e tij të cilat, sipas avokatit, i mban të uzurpuara Xheladin Sadikaj.

Avokati i propozoi gjykatës se nëse ekziston dyshimi i bazuar, Mitroviqit t’ia caktojë masën e arrestit shtëpiak të cilën tha se Mitroviq do ta mbajë në Shtërpcë.

I pandehuri Mitroviq, i arrestuar dy ditë më parë përderisa po shkonte në një vizitë të përkohshme në shtëpinë e tij ku kishte jetuar deri në vitin 1999, u pajtua me mbrojtjen e tij dhe shtoi se Xheladin Sadikajn e ka fqinj të parë dhe se anjëherë as prindërit dhe as gjyshërit e tyre nuk kanë pasur ndonjë të keqe mes vete.

“Sa ka qenë koha e luftës unë vetëm e di se Xheladini është zhdukur dhe unë dhe vëllai im Lubo ia kemi ruajtur furrën e tij që të mos ia djegin. Xheladini pasurinë time e ka shkatërruar në tërësi”, tha i pandehuri Mitroviq.

Brenda ditës gjykata pritet të marrë vendim për caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë.