Bllokohet Xhirollogaria e Kompanisë 'Drini i Bardhë'

Pas një vendimi të Gjykatës, përmbaruesit privatë e kanë bllokuar xhirollogarinë e kompanisë rajonale të ujitjes “Drini i Bardhë”.

Sipas kryetarit të Bordit të Drejtorëve të kësaj kompanie, Beqë Hadërgjonaj, me këtë veprim janë bllokuar 24 mijë euro.

Hadërgjonaj tha se kjo është shuma të cilën e pretendojnë anëtarët e ish-Bordit për paga të papaguara.

“Llogaria është blloku përmes një vendimi të gjykatës me anë të përmbaruesit privat. Shuma është diku rreth 24 mijë euro që llogariten rroga për gjashtë vite të punës të ish-bordit të drejtorëve. Punë që ish-bordi i drejtorëve për çdo vit ndërmarrjen e ka qitë në fitim tani na dalin që rrogat nuk i kanë marrë. Nuk e di se çfarë biznes-plani kanë aprovuar, çfarë pasqyra financiare, si kanë punuar ata kur ndërmarrja ka qenë në fitim e rrogat e tyre figurojnë të papaguara”, tha Hadërgjonaj për KALLXO.com

Hadërgjonaj tha se ish-anëtarët e Bordit kanë lënë borxh 300 mijë euro dhe se me veprimin e tyre po rrezikojnë që punëtorët e kompanisë t’i lënë pa paga.

“Njerëzit që i kanë shkaktuar dëme kompanisë në 7 vjet e tyne në këtë kompani,  tani edhe pasi kanë ikë e pengojnë kompaninë, zhvillim e saj. E kanë blloku në kohën më të pafavorshme, në kohën e festave, në kohën kur pritej që punëtorët të merrnin pagën e fundit të këtij viti, bllokohet konto nga personat pasojat e të cilëve i bartim edhe sot, nga ata që e kanë lënë kompaninë me 300 mijë euro borxh”, tha ai për KALLXO.com.

Për këtë rast, Beqë Hadërgjonaj tha se ka njoftuar kryeministrin, kryeparlamentarin, ministrinë përkatëse, Agjencinë Anti Korrupsion dhe platformën KALLXO.com.

Sipas tij, vetëm kjo e fundit është marrë me këtë rast.

Ndërsa, në një mbledhje të jashtëzakonshme të mbajtur sot pasdite, Bordi i Drejtorëve i kompanisë ka marrë vendim t’i padisë ish-anëtarët e Bordit.