FOTO KUVENDI I KOSOVES

'Bllokohet' votimi për formimin e Komisionit për përmirësimin e procesit zgjedhor

Votimi në Kuvendin e Kosovës u bllokua kur u hodh në votim formimi i Komisionit Ad-Hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor edhe pse për këtë çështje partitë politike kanë nënshkruar paraprakisht marrëveshje me Zyrën e BE-së dhe të OSBE-së në Kosovë.

Edhe pse në sallë ishin 70 deputetë, vetëm 49 vota u bënë për këtë votim.

“Situata është e bllokuar, nuk kalon”, tha nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti.

Kryetarët e grupeve parlamentare së bashku me përfaqësuesen e BE në Kosovë, Natalia Apostolova dhe shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Jan Braathu të enjten nënshkruan një deklaratë të përbashkët ku janë zotuar për të punuar për përmirësimin dhe forcimin e sistemit zgjedhor në Kosovë.

Por të premten në Kuvend, para hedhjes në votim të kësaj pike,  grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës, u përfshinë në “mosmarrëveshje” sa i përket krijimit të këtij komisioni.

Fillimisht, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi propozoi që në rend të ditës sot në Kuvend të futet si pikë e rendit të ditës formimi i komisionit.

Krasniqi prezantoi edhe propozimet e anëtarëve të grupeve parlamentare për të qenë pjesë e komisionit në fjalë.

“Avdullah Hoti kryesues, zëvendëskryesues i parë Memli Krasniqi, Glauk Konjufca anëtar, Dardan Sjediu anëtar, Ahmeti Isufi anëtar, Sasha  , Bilall Sherifit anëtar, Albert Kinolli zëvendëskryesues i dytë, anëtari i dytë nga PDK-ja është deputetja Blerta Deliu-Kodra. Besoj qe LDK dhe VV do të propozojnë edhe nga një emër”, tha deputeti.

Mirëpo, përkundër marrëveshjes paraprake mes grupeve parlamentare dhe BE-së e OSBE-së, që komisioni në fjalë të udhëhiqet nga shefat e grupeve parlamentare dhe nga një deputete grua secilit subjekt, ndryshe u shprehën në Kuvend përfaqësuesit e grupeve parlamentare.

Shefi i GP të PSD-së, Dardan Sejdiu kërkoi që në vend të tij të jetë deputetja Shqipe Pantina, ndërkaq LDK-ja në cilësinë e anëtarit e propozoi deputetin Arben Gashi dhe jo një deputete grua.

Kurse Lëvizja Vetëvendosje për anëtar të dytë e propozoi deputeten Albulena Haxhiu, ndërkaq Ahmet Isufi tha se dëshiron që emrin e tij ta zëvendësojë me atë të koleges Donika Kadaj-Bujupi.

Për këto ndryshime reaguan deputetët e  Kuvendit.

Memli Krasniqi nga PDK-ja tha se kjo situatë është e dhimbshme.

“Po shkojmë vetëm duke u bërë hor prej ditës në ditë. Kjo është e dhimbshme”, tha Krasniqi.

Kurse, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti tha se disa komisione janë formuar për të mos u miratuar ligje të caktuara.

“Kjo praktikë uroj që të mos përsëritet. Secili subjekt politik i dinë të metat e këtij ligji (Ligji për Zgjedhjet). Ta merrni seriozisht marrëveshjen që  e keni bërë”, tha Haliti.

Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Mexhide Mjeku-Topalli tha se nuk i është dhënë fjala me kohë në Kuvend dhe kërkoi nga LDK-ja që për anëtare të dytë në këtë komision ta propozoj një deputete grua.

“E patëm një mezazh për z. Hoti që gratë deputete nuk e votuan këtë përbërje. Do të ishte e ndershme që ju të mblidheni si subjekt dhe të vendosni në emër të një koleges tonë që të jetë pjesë e këtij komisioni Ad-Hoc dhe nëse e qitni në votim sërish këtë përbërje nga gratë deputete nuk do ta keni votën”, tha ajo.

Pas diskutimeve, deputetët u dakorduan që emrat të qëndrojnë ashtu siç janë marrë vesh me Zyrën e BE-së dhe OSBE-në një ditë më parë, por përpjekja e tyre rezultoi e pasuksesshme.

https://kallxo.com/be-e-osbe-bejne-bashke-partite-politike-pajtohen-per-forcim-te-sistemit-zgjedhor/