Ndarja e kufijve sipas marrëveshjes së demarkacionit është ende e paqartë për publikun | Foto: përpunim mbi Google Maps

Bllokada e Demarkacionit e Shtyn Qeverinë të Bëjë Komision për Matje të Territorit

Kjo është bërë publike të mërkurën në një komunikatë për media nga Qeveria e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës së fundi ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, i cili ka për mision që të bëjë matjen e territorit të Kosovës para datës 25 gusht të vitit 2015, dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Sipas qeverisë, ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet dy shteteve, do t’i hapte udhë lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së.

“Po ashtu do të fuqizonte shtetësinë e Kosovës, duke qenë se me këtë akt, Kosova do të kishte edhe një kufi ndërkombëtar, do të fuqizohej partneriteti me Malin e Zi, por edhe me NATO-n dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Vendimi për themelimin e këtij Komisioni vjen pas shumë debateve, polemikave të deputetëve të opozitës për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Sipas qeverisë, në këtë komision janë të ftuar në cilësinë e anëtarëve përfaqësues edhe subjektet politike nga opozita me ç’rast u ka bërë thirrje t’i dërgojnë emrat e ekspertëve të tyre.

Në këtë komision sipas Qeverisë së Kosovës janë të ftuar edhe përfaqësues nga   Akademia e Shkencës dhe e Arteve e Kosovës, Fakulteti i Shkencave Matematikore Natyrore,  dy ekspertë nga Organizatat e Shoqërisë Civile, Agjencioni i Kadastrit, Agjencioni i Ujërave, Agjencioni i Pyjeve, KOSTT-i, Agjencia Kosovare e Privatizimit,  Policia e Kosovës, Agjencioni i Statistikave të Kosovës; Komuna e Pejës, Deçanit, Istogut, Junikut dhe dy përfaqësues nga zona e Rugovës së Komunës së Pejës.

Po ashtu ky komision do të ketë edhe anëtar vëzhgues nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe KFOR-i.

Një komision me tre anëtarë të huaj i formuar nga ish Presidentja Atifete Jahjaga, vitin e kaluar kishte ardhur në përfundim se demarkacioni me Malin e Zi është kryer në mënyrë të rregullt, por konkluzionet e këtij komisioni nuk e bindën opozitën që të ndryshojnë qëndrim.