Blerim Rexha-Haradinajt: Hajninë Nuk ua Solla nga Austria

Blerim Rexha, ish-drejtori i Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim tha se Kryeministri Ramush Haradinaj kur e quajti “hajn ordiner” tentoi t’ia njollosë edhe familjen.

“’Fyerja’ juaj se unë jam ‘hajn ordiner’, nuk është njollosje vetëm për mua, është njollosje që po tentoni t’i bëni familjes time, shkollimit tim në Universitetin Teknik të Vjenës, karrierës time profesionale gati 10 vjeçare në Siemens të Austrisë dhe mbi 10 vite karrierë të suksesshme në Universitetin e Prishtinës”, shkroi Rexha në Facebook.

Në debatin e sotëm ku u diskutua për përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Regjistri Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsim, Ramush Haradinaj e mbrojti shkarkimin e bordit me në krye Rexhën,

“Blerim Rexha që po folni për të është një hajn ordiner”, tha Haradinaj në Kuvend.

Por ish-kreu i Bordit të AKA-s Rexha shkroi se hajninë nuk e solli nga Austria, duke aluduar në shkollimin e tij në këtë shtet.

“Prandaj, ju nuk mund të më fyeni, sepse ‘hajninë nuk ua solla unë nga Austria’, atë po e kërkoni në adresën gabuar!”, vijoi postimi i Rexhës.

Haradinaj në fjalën e tij në Kuvend tha se USAID-i është tërhequr pasi në ish-Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, paraardhësen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit në bord ishte Rexha.

http://kallxo.com/video-ramush-haradinaj-e-quan-blerim-rexhen-hajn-ordiner/

Por Rexha tregoi se është tërhequr nga ajo agjenci, ngase nuk është pajtuar me mënyrën e privatizimit.

“Lidhur me dorëheqjen time nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ashtu siç e kam thënë atëherë, publikisht nuk jam pajtuar me politikat e privatizimit, si p.sh. të privatizohen 50 hektarë toke të Kosovës për 5.000 (5 mijë) euro!”, sqaroi Rexha.

Rexha dha mendimin e tij pse është shkarkuar Bordi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

“Bordi i kaluar ndali regjistrimin pakufi të studentëve, ndali akreditimin pa plotësim minimal të programeve me profesorë të rregullt, dhe shumë rezultate tjera. Rezultate, që i kemi bërë publike që atëherë dhe tani i di i gjithë opinioni kosovar. Rezultate që i ka pranuar edhe EQAR dhe ENQA”, shkroi më tutje Rexha.

Bordi ishte shkarkuar në shtator të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/ministri-arsimit-shkarkon-bordin-e-agjencise-se-akreditimit-dokument/

Rexha nuk e mohoi se njoftoi Regjistrin Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsim për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Ai pati edhe një porosi për Ramush Haradinajn.

“E kam ndie edhe obligim moral, t’i njoftoj institucionet që kemi bashkëpunuar që jemi shkarkuar nga Bordi, për arsye që nuk i di askush, e madje as ju nuk i dini, siç edhe e konfirmuat sot. Është vonë të pohosh gabimet kur anija tani më është fundosur!”, shkroi Rexha.