Blerim Devolli sot në Kuvend

Pronari i kompanisë Dardafon.net, Blerim Devolli do të raportojë sot në Komisionin Hetimor për Postën dhe Telekomin e Kosovës.

Devolli ka paralajmëruar raportimin e tij lidhur me kontratën mes Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile që përfundoi në arbitrazh.

Mbledhja e Komisionit që pret Blerim Devollin ishte paralajmëruar për në orën 10, mirëpo kjo mbledhje u shty për një orë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulen Haxhiu tha se shtyrjan po bëhet për shkak të interesimit të madh të mediave.

“Për shkak të interesimit të madh të medieve, mbledhja e komisionit hetimor mbahet në orën 11 dhe jo në 10 siç është paralajmëruar në faqen zyrtare të Kuvendit”, shkroi Haxhiu.

Në këtë moment, Telekomi i Kosovës gjendet para një borxhi rreth 26 milionë eurosh ndaj Z- Mobile, për të cilën kompania i ka dhënë afat për pagesë deri në fund të qershorit, në kërcënim të përmbarimit.

Në të njëjtën kohë, Telekomi i Kosovës dhe Z-Mobile janë në negociata për të vazhduar ose jo kontratën e cila skadon po ashtu në fund të qershorit.