Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Biznesmeni i Akuzuar Arsyetohet për Tenderin e Rrugëve

Në gjykimin e ish-kryetarit të Obiliqit Mehmet Krasniqi dhe 12 personave tjerë në lidhje me asfaltimin e disa rrugëve në këtë komunë, u morën në pyetje disa nga të akuzuarit.

I akuzuari Emri Sopjani që ishte fitues i tenderit për asfaltimin e rrugës në fshatin Kozaricë dhe vazhdimin e asfaltimit në Lagjen Koskovik të fshatit Breznicë, shfaqi pendesë që vazhdimin e punimeve në këto rrugë ia besoi kompanisë “Bas Com” të të akuzuarit Basri Kqiku.

“Jam penduar pse ia kam dhënë atij me shtru këtë pjesë të rrugës dhe pastaj me pasur telashe”, tha Emri Sopjani në gjykatë.

Ai deklaroi se gjatë kryerjes së punimeve në këto rrugë të fshatrave të Obiliqit për arsye se gruan e kishte të sëmurë u detyrua t’i qëndrojë asaj pranë, prandaj këto punime tha se ia besoi kompanisë së tash të akuzuarit tjetër të këtij procesi.

Sopjani theksoi se nuk kishte pasur qëllim ta mashtrojë ndokënd, ndërsa për shkak të situatës familjare në të cilën ndodhej, dëshironte që këto punime të kryheshin sa më shpejt.

Gjatë asaj kohe mbikëqyrës i këtyre punimeve kishte qenë i akuzuari tjetër, Haki Raqi, i cili akuzohet për kohën kur ka qenë  i angazhuar si menaxher i projektit në vitin 2013.

Raqi akuzohet se në mënyrë të kundërligjshme ka përpiluar raport të rremë mbi punët e kryera, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për “Delta ING”.

Nikë Shala, avokati i Haki Raqit, e pyeti Emri Sopjanin se i mbrojturi i tij a kishte përfituar materialisht, ose a iu kishte mundësuar të tjerëve të përfitojnë  nga raporti për punët e kryera.

“Haki Raqi nuk ka pasur kurrfarë përfitimi të kundërligjshëm. As Haki Raqi, as ndokush tjetër”, tha Sopjani.

I akuzuari Sami Kadiu gjatë paraqitjes së mbrojtjes tha se e vetmja përgjegjësi e tij në këtë projekt ka qenë konkurrimi me dokumentet e tij për shkak të kualifikimit si inxhinier i ndërtimtarisë.

Më tutje, Kadiu deklaroi se qëndron pranë deklaratës së dhënë gjatë fazës së hetuesisë.

Në pyetje u mor edhe i akuzuari Nazmi Gashi, i cili kishte qenë në të dyja rastet anëtar i komisionit mbi projektin e asfaltimit të rrugëve rurale dhe në projektin e vazhdimit të asfaltimit të rrugës në Lagjen “Koskovik” të Breznicës  dhe në Kozaricë.

I akuzuari Gashi deklaroi se kishte dalë për t’i shikuar punimet së bashku me tani më dy të akuzuarit e tjerë, Ramadan Hashanin dhe Bajram Paloin, e në komisionin tjetër kishte dalë me të akuzuarit Haki Raqin dhe Xhavit Krasniqin.

Pas rezultateve pozitive të raportit laboratorik, Gashi kishte dhënë një raport përfundimtar lidhur me këto dy projekte.

“Edhe sot me bo raport të njëjtë me këtë rast, do ta bëja raportin e njëjtë”, shtoi Gashi.

Prokurori special Agron Bajrami e pyeti Nazmi Gashin se si është gjendja e këtyre rrugëve tani.

“Asnjëherë nuk më ka ra me shku andej”, u përgjigj Gashi.

Edhe i akuzuari Ramadan Hashani që ka qenë anëtar i komisionit për këtë projekt të asfaltimit të rrugëve rurale në Obiliq, mbrojti raportin e hartuar.

“Komisioni ka qenë në krye të detyrës së tij, ka qenë profesional dhe raportin e ka bërë konform të të dhënave që i ka poseduar në dokumentacion, ku edhe kam qenë anëtar i komisionit të të dy anekseve”, tha i akuzuari.

Njëjtë u përgjigj edhe i akuzuari Bajram Paloi, në atë kohë zyrtar i çështjeve pronësore në Kuvendin Komunal të Obiliqit.

Ai theksoi se raporti për pranim ishte bërë në bazë të shkresave të menaxherit të projektit dhe kompanisë së licencuar nga shteti, ku nga të dy palët kishte dalë se punët janë kryer sipas paramasës dhe parallogarisë.

Paloi vazhdon të jetë i suspenduar nga pozita tash e tre vjet.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë më 8 maj 2015 kundër Mehmet Krasniqit, Xhavit Krasniqit, Haki Raqit, Emir Sopjanit, Sami Kadriut, Nazmi Gashit, Ramadan Hashanit, Bajram Palojit, Bujar Alidemës, Shpend Kelmendit, Basri Kqikut, Hasie Dushit, Azem Spancës dhe Altin Preniqit.

Në këtë proces gjyqësor ish-kryetari i Obiliqit Mehmet Krasniqi akuzohet për keqpërdorim të detyrës ose autoritetit zyrtar në periudhën e viteve 2012-2013, kur u realizuan projekte për asfaltimin e disa rrugëve në komunën që e drejtonte.

Për keqpërdorim të detyrës zyrtare ngarkohet edhe Haki Raqi, Xhavit Krasniqi, Nazmi Gashi, Ramadan Hashani, Bajram Paloji, Azem Spanca dhe Altin Preniqi.

Prokuroria për veprën penale të mashtrimit i akuzon Emir Sopjanin, Sami Kadriun, Bujar Alidemën dhe Shpend Kelmendin, si dhe përsëri Basri Kqikun, ndërsa për mashtrim në detyrë Hasnije Dushin si dhe Haki Raqin.

Seanca e radhës do të vazhdojë me marrjen në pyetje e pjesës së mbetur të të akuzuarve.