Foto: ZKM

Biznesmenë nga Kosova dhe Arabia Saudite flasin për bashkëpunime

Sot në Prishtinë është mbajtur forumi i biznesit ndërmjet Kosovës dhe Arabisë Saudite. Ky forum u organizuar nën patronatin e zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës dhe Klubin e Prodhuesve të Kosovës.

Sipas një komunikate të Qeverisë në këtë forum kanë marrë pjesë rreth 20 përfaqësues të bizneseve saudite dhe një numër i madh i përfaqësuesve të bizneseve kosovare.

Në këtë forum përfaqësues të bizneseve vendore dhe atyre të Arabisë Saudite kanë mbajtur takime ku kanë diskutuar edhe për plane e ide konkrete për bashkëpunim në fusha të ndryshme të ekonomisë.

“Është një rast jashtëzakonisht i mirë që bizneset kosovare t’i vënë kontaktet dhe të bashkëpunojnë me bizneset e Arabisë Saudite, në projekte konkrete, të cilat do të ndikojnë në shtimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë”, ka thënë Hoxhaj, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Sipas Hoxhajt, bizneset arabe janë të interesuara që të investojnë në Kosovës në fusha si industria e ushqimit, bujqësia, menaxhimi i mbeturinave etj.

Palët janë pajtuar që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe se një forum i tillë do të mbahet edhe në Arabinë Saudite.