Bizneseve pritet t’u zvogëlohet barra e pagesës së pushimeve të lehonisë

Projektligji i ri që synon të rregullojë specifikisht çështjen  e pushimit të lehonisë dhe prindëror pritet ta përgjysmojë numrin e muajve që një punëdhënës duhet t’ia paguajë punëtores që shkon në pushim të lehonisë.

Aktualisht, me ligjin e punës, punëdhënësit janë të detyruar të paguajnë 70 përqind të pagës bazë të një punëtoreje për 6 muajt e parë të pushimit të lehonisë.

Ndërkaq me projektligjin e ri, pritet që kjo pagesë të bëhet vetëm në tre muajt e parë.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka nisur punën për ndryshimin e ligjit që rregullon pushimin e lehonisë dhe atë prindëror.

Për herë të parë në Kosovë është hartuar një projektligj i veçantë që rregullon specifikisht pushimin e lehonisë dhe atë prindëror.

Me këtë projektligj është paraparë që një nënë që lind fëmijë të përfitojë në total 12 muaj pushim.

Tre muajt e parë parashihen të paguhen nga punëdhënësi me 70 përqind të pagës bazë, gjashtë muaj tjerë nga Qeveria me 50 përqind të pagës mesatare dhe tre muaj pa pagesë.

Përveç kësaj, për baballarët është paraparë që të ndahen 10 ditë pushim atësie me pagesë dhe 2 javë pa pagesë.

Ky model ka gjetur mbështetje nga bizneset që përfaqësohet nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Rea Kryeziu, nga OEK  për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, foli lidhur me pikëpamjet e këtij institucioni karshi këtij ligji.

“Oda Ekonomike është e kënaqur, përderisa edhe bizneset janë të kënaqura me atë çka është prezantuar dhe çka po ofrohet si mundësi.Në këtë projektligj parashihen që tre muaj të paguhet prej biznesit në 70 përqind të rrogës bazë… në përgjithësi ka pasur një mirëkuptim”, tha Kryeziu.

Ajo megjithatë shtoi se biznese të caktuara kanë renditur disa kërkesa speicifike mbi këtë projektligj, të cilat kërkuar që t’i adresojë Oda Ekonomike e Kosovës..

“Ka pasur shqetësim për nenin 10 ku parashihet që personi të kthehet në detyrën që ka qenë fillimisht, ka pasur paqartësi se a mundet të mirret vetëm një herë pushimi prindëror apo më shumë brenda periudhës dy vjeçare, është kërkuar që të ndryshohet kategoria e sigurimit në punë…..”, tha Kryeziu.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës që përfaqësojnë të drejtat e punëtorëve kanë dhënë gjithashtu komentet e tyre mbi këtë projektligj.

Leonora Lokaj, Nënkryetare e BSPK-së tha se  edhe ata kanë kërkuar zvogëlimin e barrës së bizneseve në pagesen e pushimit të lehonisë

“Si propozim ka qenë që muaji i parë i pushimi të lehonisë të paguhet nga punëdhënësi me 80 përqind të pagës bazë ndërsa 8 muajt e tjerë të bëhet një pagesë 70 përqind e pagës mesatare në vend nga qeveria… duhet të mundohemi që sidomos femrat e sektorit privat të involvohen më shumë në punë dhe të ndikon që të mos kenë revanshim nga punëdhëënsi për shkak të pushimit të lehonisë.”, tha Lokaj.

Lidhur me këtë projektligj në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, pati kritika nga shoqëria civile ndërsa i njëjti u lavdërua nga bizneset.

Në anën tjetër, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale tregon se si po planifikon që të ndalojë diskriminin e grave në treg të punës për shkak të pushimit të lehonisë?

Për këtë temë flasin edhe sindikalistët dhe përfaqësuesit e  bizneseve.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: