Bizneset të Kënaqura me Grantet nga Komuna

Qumështorja “Gexha” që përfitoi nga subvencionet e vitit të kaluar, sipas pronarit të saj shtoi kapacitetet.

“Shuma ka qenë diku 3 mijë e 400 euro, na ka ndihmu mjaft për disa pajisje që i kemi pasë të domosdoshme për prodhim, na ka ndihmu në rritjen e kapacitetit dhe na ka letu procesin e punës shumë ma shumë,” tha Albert Gexha për KALLXO.com.

Ai planifikon të aplikojë edhe për subvencionet e sivjetme, pasi ende i duhen mjete për përmirësim të punës dhe shitjes.

“Gjithsesi do të aplikojmë prapë. Sivjet kemi nevojë për një kombi-frigorifer për shpërndamje, kemi fillu me hap rrjetën pak ma gjatë, kështu që kemi nevojë patjetër. Do të shofim a do ta marrim, a jo,”  tha Gexha.

Edhe Lulzim Kika që prodhon veshje kombëtare me ndihmat nga komuna bleu mjete që ia shpejtojnë punën.

“Kemi rritë kapacitetin, fuqinë punëtore, familjarisht punojmë. Falënderoj komunën dhe stafin, me këtë maqinë kam punu, kjo i ka afer 150 vjet, qato të holla se mi kanë japë kam blerë katër maqina të reja dhe një rapid për premjen e teshave, kjo ndihmë ma ka rritë kapacitetin dhe tani punoj më mirë,” tha Kika.

Për dallim nga Gexha, zejtari Kika nuk dëshiron të aplikojë sivjet, sepse dëshiron të lë hapësirë bizneseve tjera.

“Jo, të aplikon kush ka nevojë, për Gjakovë jo, të marrin edhe të tjerët sikur unë,” thotë Lulzim Kika që vjet fitoi 1 mijë e 500 euro nga komuna.

Burim Emra nga Qendra Komunale e Biznesit thotë se asnjëri nga bizneset e subvencionuara nga komuna nuk është mbyllur.

Me subvencionet e  vitit të kaluar Komuna e Gjakovës ndihmoi 33 biznese me 70 mijë euro.

Burim Emra thotë se këto 33 biznese kanë punësuar 15 punëtorë.