Bizneset: Shkaku i mosfurnizimit me energji kemi humbur rreth 300 milionë Euro

Mosfurnizimi me energji dhe kostot e mëdha që u faturohen bizneseve në Kosovë, po e rrezikojnë veprimtarinë e këtyre të fundit dhe po paraqet kërcenim për mbylljen e tyre.

Kështu u tha në konferencën e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës lidhur me problemet dhe sfidat e sektorit privat në raport me energjinë elektrike.

Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi u shpreh se nëse deri me 1 prill nuk liberalizohet tregu i energjisë, shumica e bizneseve do të mbyllen.

“Janë dy çështje që këto ditë i kanë ngritë bizneset tek ne dhe Klubi i Prodhuesve. Kanë kërkuar vëmendjen tonë dhe të institucioneve për me i trajtuar këto çështje sepse nëse nuk rregullohen rrezikohet veprimtaria e tyre. Energjia elektrike mbetet ndër barrierat kryesore jo vetëm për koston edhe për furnizimin e rregullt. Në këtë fazë është menduar që do të kemi dy lëvizje që e ndihmojnë prodhuesin mirëpo për shkak të problemeve edhe këto dy alternativa nuk po mundësohen”, tha Rukiqi.

“Ne kërkojmë veprim urgjent, sepse fatura e energjisë pas një prillit bizneset do të paguajnë 30-40% energji me shtrenjtë sesa që paguajnë tani sepse do të shfrytëzojnë energjinë që importohet e jo energjinë që prodhohet në vend”, shtoi kryetari i OEK-së.

Ndërkaq, Astrit Panxha, kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, shprehu si shqetësim mohimin e të drejtës për vetkonsum.

“Mohimi i te drejtës për vet konsum nuk ka logjikë pasi shumica e vendeve të rajonit investojnë mijëra euro në burime tjera të prodhimet të energjisë ndërsa në Kosovë me një vend të ZRRE-së u mohohet kjo, kjo pa asnjë të drejtë. Ne kërkojmë që urgjentisht të hiqet vendimi për liberalizimin e tregut së paku për një vit”, u shpreh Panxha.

Sipas tij, me liberalizim të tregut në botë ulen çmimet ndërkaq në Kosovë fuqizohet kompania dhe rriten çmimet.

Gjithashtu, Panxha theksoi se humbjet vjetore të prodhimit nga mosfurnizimi me energji elektrike është 300 milionë euro.

Ndërsa, drejtori i Odes Ekonomike Amerikane (OEAK), Arian Zeka tha se paradoksale që bizneset të paguajnë më shtrenjtë energjinë se amvisëritë.

“Nëse vazhdojmë me ketë tendencë po ia bëjmë me të vështirë vetës për të bërë biznes, sa i përket çmimit te energjisë elektrike është paradoksale dhe e kundërt me shtetet e rajonit që bizneset të paguajnë me shtrenjtë energjinë e shfrytëzuar sesa amvisëri”, ka thënë Zeka.