Bizneset nuk u Besojnë Institucioneve

Këto të dhëna dolën nga hulumtimi “Indikatori Matës i Tendencës në Biznes: Tremujori i katërt i vitit 2015”.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se gjendja aktuale politike në vend dhe pamundësia që të shtyhen përpara proceset ekonomike ka bërë që bizneset të krijojnë pakënaqësi në institucione.

“Të dhënat tregojnë se situata e bizneseve është përkeqësuar në tremujorin e katërt të vitit 2015, krahasuar tremujorin paraprak. Këto situata po ndikohen nga momentet politike,” tha Gërxhaliu.

Ky tregues i besueshmërisë shënoi rënie të theksuar në tremujorin e katërt të vitit 2015, krahasuar me tremujorin paraprak, nga 10.5 pikë sa ishte në -9.5 pikë.

Pritjet për punësim janë shumë pesimiste krahasuar me tremujorin paraprak. Tregtia me shumicë dhe ndërtimi janë sektorët që në total të sektorëve bënë që gjendja të duket jo e favorshme. Megjithatë, pritshmëria e bizneseve të anketuara është se gjendja në muajt në vazhdim do të jetë më e mirë.

Ky hulumtim konkludon se besueshmëria në sektorin e tregtisë me shumicë dhe atij me pakicë është vlerësuar shumë e rënduar, ndërsa sektori i prodhimit, ndërtimtarisë dhe ai i shërbimeve kanë pasur performancë të njëjtë krahasuar me tremujorin paraprak.

Ky tregues i besimit është përdorur gjerësisht në analizën ekonomike të Komisionit Evropian dhe është në dispozicion për të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Hulumtim është realizuar me 474 biznese nga sektori i tregtisë, prodhimit, ndërtimtarisë dhe ai i shërbimeve.

Anketa është realizuar në fund të pjesës së dytë të muajit dhjetor 2015 dhe fillim të muajit janar 2016.