Bizneset i dalin në mbrojtje ‘Abi Çarshisë’
Oda Ekonomike e Kosovës i ka dalur në mbrojtje qendrës tregtare “Abi Çarshia”, në Prizren, një pjesë e së cilës ka nisur të rrënohet nga Komuna e Prizrenit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se shembja e një pjese të objektit të “Abi Çarshisë” në Prizren është një ndërhyrje drastike në biznesin i cili është një ndër kontribuuesit më të mëdhenj në ekonominë e vendit.
“Pamjet që i kemi pa të premten në Prizren e në ndërkohë shohim thirrje për investime të huaja, se tek e fundit nuk ka qenë në pronë publike por në pronë private, kjo është shqetësuese jo pse Abi është anëtar po se është një prej kompanive më serioze, më etike dhe kontribuuese në ekonominë e vendit. Bageri nuk është zgjidhje e problemit”, ka deklaruar Rukiqi.
Më tej ai ka thënë se Kosova nuk e ka komoditetin me i humbë investitorët, si ata ndërkombëtar edhe ata vendor.
Drejtoria e Inspektoratit në Prizren me datën 19 korrik ka shkuar të rrënojë një pjesë të qendrës tregtare të quajtur ‘Abi- Çarshia’, në pronësi të Irfan Fushës, ish-kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës.
Abi Çarshia” është pronë e Irfan Fushës, ish- kandidat për deputet të PDK-së. Në anën tjetër, Komuna e Prizrenit po udhëhiqet nga Mytaher Haskuka që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje.
I pranishëm në konferencën e thirrur nga kryetari i OEK-ut ka qenë edhe avokati i “Abi Çarshisë”, Taulant Hodaj, i cili ka theksuar se asnjë centimetër i objektit nuk është ndërtuar në pronë publike.
Hodaj ka theksuar se pronari i “Abi Çarshisë” ka aplikuar për leje për 15% deri në 20% të objektit në të cilin e ka tejkaluar lejen ndërtimore.
“Abi Çarshia, është ndërtu në pronë private, nuk qëndron një amulli se është pronë publike, asnjë cm nuk është pronë publike. Në vitin 2004 ka qenë plan për ndërtimin e rrugës por kompania nuk është njoftu kurrë, kompleksi është përfundu dhe 15 deri 20 për qind në pronë private e ka tejkalu 15 deri 20 për qind lejen. Abi Qarshia është qendra e parë komerciale që ka marrë pranim teknik. Në Prizren ka 40 mijë objekte që e kanë tejkalu lejen”, ka thënë Hodaj.
Më tej ai ka shtuar se ligji thotë çdo ndërtim që ka përfunduar duhet të trajtohet sipas ligjit në fuqi gjë që sipas tij nuk ka ndodhur me objektin e “Abi Çarshisë”, i cili ka përfunduar në qershor të vitit 2018.
Hodaj ka thënë se posa ka hyrë në fuqi Udhëzimi Administrativ për ndërtimet pa leje ata kanë kompletar dokumentacionin për legalizim të pjesës së ndërtuar pa leje. Po ashtu Hodaj ka shtuar se rrënimi është bërë në mënyrë të kundërligjshme.
“Brenda ditës Komuna na ka thonë që nuk janë të njoftum për UA, kjo është non sense, por fatkeqësisht qëllimi i kësaj ka qenë që në ditën e njëjtë me u bo rrënimi. Ne nuk jemi kundër rrënimit por edhe ai të bëhet në mënyrë të ligjshme. Ata e kanë rrënu në mënyrë të kundërligjshme, po lidhem me kryetarin se ky është vendim politik, kryetari ka thënë se UA nuk ka hy në fuqi por fatkeqësisht ky vendim ka politik”, ka theksuar Hodaj.
Nga ana tjetër, Faton Hoxha, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve ka deklaruar se rrënimi i një pjesë të objektit të “Abi Çarshisë” është një veprim i paligjshëm.
“Qe sa kohë po tentojmë të bëhemi partnerë, e gjitha që po kërkojmë është që të zbatohen ligjet që janë në fuqi. Komuna e Prizrenit na ka bombardu me lajme që në atë vend është e planifikuar një rrugë publike, por ky plan është nga viti 2004. Të gjitha komunat e Kosovës arsyetohen në mungesë të stafit por ne kemi telashe me kohën për lëshimin e lejeve të ndërtimit. I ftojmë organet komunale t’i shqyrtojnë mirë UA, se nuk janë hartu qe vetëm një vjet por që nga viti 2009”, ka përfunduar Hoxha.
Prokuroria Themelore në Prizren ka mbajtur sot një konferencë në lidhje me rrënimin e një pjese të kompleksit të qendrës tregtare ‘Abi Çarshia’ në Prizren.
Kryeprokurori i këtij rajoni, Admir Shala ka thënë se veprimet e deritanishme të Komunës së Prizrenit dhe vendimi për rrënim të aneks objektit të Abi Çarshisë në ditën kur Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka nxjerrë udhëzimin për aplikim për legalizimin e objekteve pa leje, janë në kundërshtim me ligjin.
“Nëse investitori ka aplikuar për legalizim të objektit, objekti nuk guxon të rrënohet, edhe nëse aplikacioni nuk është pranuar kjo nuk mund të ndodhë pa i shfrytëzuar edhe mjetet e ankesës edhe në shkallë të parë edhe të dytë. Përderisa komuna nuk ka dalë me ndonjë vendim për legalizim duhet të përmbahet nga veprimet tjera, të cilat mund të jenë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, kjo çështje është nën hetim penal dhe përderisa jemi në hetime, i lutemi zyrtarëve që të përmbahen nga veprimet e kundërligjshme”, ka deklaruar Shala.
Drejtoria e Inspektoratit në Prizren me datën 19 korrik ka shkuar të rrënojë një pjesë të qendrës tregtare të quajtur ‘Abi- Çarshia’. Inspektorati është penguar dhe nuk është lejuar që të fillojë rrënimin e objektit.
Abi Çarshia” është pronë e Irfan Fushës, ish- kandidat për deputet të PDK-së. Në anën tjetër, Komuna e Prizrenit po udhëhiqet nga Mytaher Haskuka që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një konferencë dhe deklarim publik avokati i Kompanisë “Abi Çarshia “ Engjëll Rexhepi ka thënë se të gjitha veprimet e ndërmarra nga inspektorati i Ndërtimtarisë janë veprime të kundërligjshme.
Ndërsa për ndaljen e këtyre veprimeve të kundërligjshme i njëjti thotë se kanë kërkuar asistencë nga organet e rendit të cilat sipas tij kanë refuzuar që t’i asistojnë.
Historiku i problemit me leje në ‘Abi Çarshi’
Komuna e Prizrenit kishte nisur rrënimin e objektit në shtator të vitit të kaluar, mirëpo pronari i objektit ishte zotuar se do të bëjë vetë rrënimin e objektit me arsyetimin se duhet të ketë kujdes për mos-dëmtim të pjesës tjetër të objektit të njëjtë.
Në të njëjtin ditë, kur pronari i këtij objekti ishte pajtuar për rrënim të objektit pa leje, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë ka ndërhyrë duke e anuluar vendimin e Komunës së Prizrenit për rrënim.
Ky proces i rrënimit është përcjellë me akuza për politizim të çështjes e deri tek akuzat se ‘Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka marrë vendime të jashtëligjshme’.
“Drejtoria e Urbanizmit dhe planifikimit hapësinor ka lëshuar leje të reviduar. Edhe pse me leje pas matjeve rezulton përafërsisht 35% e objektit të ndërtuar janë me tejkalim të lejes dhe në atë pjesë (zonë) ka plan të hollësishëm rregullativ ku objekti me tejkalime ka uzurpuar rrugën që është paraparë si pas planit të hollësishëm rregullativ. Më 31.07.2018 Drejtoria e Inspektoratit nxjerrë vendim për rrënim vullnetar sipas procedurave ligjore në afat 15 ditësh dhe palës i jep të drejtë që të ushtrojë ankesë”, kishte treguar Thaqi për KALLXO.com në muajin shtator.
Sipas Thaqit, pronari i objektit nuk e kishte filluar rrënimin vullnetar dhe për këtë arsye më datën 24 gusht, Drejtoria e Inspektoratit nxori vendim për ekzekutimin e rrënimit.
Ndërsa në datën e fillimit të rrënimit, pra më 27 gusht, Irfan Fusha ka dërguar ankesë në Komunë ku kërkohet shtyrja apo pezullimi i aktvendimit për rrënim. Në të njëjtën ankesë, Fusha e ka njoftuar Komunën se ka bërë ankesë edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor lidhur me këtë çështje.
Në të njëjtën ditë, pra me 17 gusht Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nxjerr vendim që e aprovon ankesën e pronarit Irfan Fusha dhe kërkona anulimin e vendimit të komunës së datës 31.07.2018 që kërkoi rrënimin vullnetar të pjesës së objektit.
Ky vendim është në një vijë me qëndrimin e investitorit.
“Organi i shkallës së dytë i MMPH-së, konstatoi se Aktvendimi me nr. 17-354-38-56-2, me datë 31.07.2008 të Drejtorisë së Inspektorateve- Komuna Prizren është i pabazë për shkak se investitori posedon leje ndërtimi. Ndërsa sipas procesverbalit nr 0004509, me datë 26.07.2018 të Drejtorisë së Inspektorateve- Komuna Prizren mbi konstatimin e gjendjes faktike në terren është konstatuar si në vijim: ndryshimet janë bërë brenda kufijve të vijës rregullative, ndërtimore, urban”, thuhej në vendimin e ministrisë.
Ministria i ka kërkuar Komunës së Prizrenit që atë kohë të ndal procesin e rrënimit.
“Obligohet Drejtoria e Inspektorateve të mos ndërmerr asnjë veprim, ndërsa aneksi shtesë i ndërtuar pa leje në kuadër të objektit me leje të trajtohet sipas Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje”, thuhej në vendim.
Kujtojmë se sipas Drejtorit Komunal të Inspektorateve, kjo drejtori ka dërguar kallëzim penal ndaj Fushës.
“Vlen të theksohet se 05.07.2018 nga Drejtoria e Inspektorateve z.Irfan Fusha i është bërë Kallëzim Penal për heqjen apo dëmtimin të vulave apo shenjave zyrtare neni 4141 te Kodit Penal të R.Kosovës dhe për punime ndërtimore të kundër ligjshme neni 368 te kodit penal të R. Kosovës 04/L-82”, ka treguar drejtori i Inspektoratit.
https://kallxo.com/drejtori-i-haskukes-sqaron-arsyet-e-rrenimit-ne-abi-carshia/
https://kallxo.com/abi-carshia-reagon-ndaj-rrezimit-te-objektit-kerkon-kompensim-nga-komuna/
https://kallxo.com/inspektorati-ne-prizren-pengohet-ta-rrenoje-objektin-pa-leje-ne-abi-carshia/
.