Bizneset e Grave pa Subvencione
Vetëm 25 gra kanë të regjistruar pronë në Komunën e Kllokotit dhe si rrjedhojë komuna ka vetëm 9 biznese të regjistruara në emër të grave.
Të dhënat e siguruara nga KALLXO.com tregojnë se vetëm 1.8 për qind e pronës së Kllokotit është në emër të grave, situata është e përafërt edhe në Komunën e Vitisë ku vetëm 14% e pronës është e regjistruar si pronë e grave.
Analizat tregojnë se mungesa e pronës është duke i dekurajuar gratë të merren me biznes.
Në Kllokot vetëm 9 nga 90 bizneset e regjistruara janë në emër të grave, ndërsa në Viti nga 1421 biznese vetëm 153 janë në emër të grave. Në komunat ku biznesi kryesor është bujqësia sipas deputetes komunale Mirlinda Tishuku-Sadiku çështja e pronës është problem kryesor për mungesën e subvencione për bizneset e grave.
“Kur kam marrë mandatin nisa të mendoj për mundësitë që t’i subvencionojmë gratë në biznese, por gjatë punës hasëm në një problem shumë serioz-subvencionet nuk mund të ndaheshin për shkak se pronat janë të regjistruara në emër të burrave,” thotë Sadiku.
Ajo thotë se kanë filluar një plan vetëdijesimi për gratë, megjithatë rezultatet ende nuk janë të kënaqshme pasi në kërkesat për subvencione burrat janë doke dominuar
Melihate Osmani drejtoreshë e Organizatës JoQeveritare “Legjenda” në Viti, organizatë kjo e cila merret me të drejtat e grave është e mendimit se edhe Zona e Anomoravës ka problemet e veta përsa i përket vetëfajësimit të grave për benificionet e pronës.
Duhet të punohet në vetëdijesimin e grave për beneficionet e pronës, pasi që krijohen mundësi shumë më të mira dhe më të mëdha nëse gruaja ka pronën,” thotë Osmani.
Analizat në rang vendi tregojnë se vetëm 16 % e pronës është e regjistruar në emër të grave. Gjyqtarja Mevlide Shabani e cila punon që 5 vjet në divizion civil sqaron se në proceset gjyqësore gratë zakonisht heqin dorë nga e drejta e pronës për shkak të mentalitetit.
“Rastet ku femrat shqiptare kërkojnë hise në trashëgimi apo pronë janë të rralla, ato zakonisht preferojnë që atë pjesë tokë t’ua lënë vëllezërve që të mos i dëmtojnë raportet mes tyre si familje,” thotë gjykatësja Shabani.
Ajo sqaron se gjatë gjykimit të çështjeve ka vërejtur dallime në mes komunitetit shqiptar dhe serb. Tek këta të fundit sipas gjykatëses gratë në masë më të madhe e kërkojnë të drejtën e pronësisë.