Konferenca e Diaspores

Bizneset e diasporës të interesuara për investim në energjinë e ripërtërishme

Ka vazhduar dita e dytë e konferencës ekonomike të diasporës shqiptare nga Evropa, B2B me temë ‘Diaspora si agjent ndërmjetësues për të bërit biznes në tregjet e huaja’.

Aty u theksua nevoja e bashkëpunimit më të madh të bizneseve kosovare me ato të diasporës me qëllim që eksporti i produkteve vendore të mbërrijë sa më lehtë në tregjet e Evropës.

Ndërsa u tha se interesi i diasporës është më shumë te investimet në energji përmes hidrocentraleve ose energjisë me erë.

Qëllimi i kësaj konference është që të ofrojë mundësi lidhjeje në mes të bizneseve të Kosovës dhe atyre të diasporës shqiptare.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë për Investime dhe përkrahjen e ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Nol Buzhala duke përmendur angazhimin e tyre për promovim të produkteve vendore për të eksportuar jashtë, tha se do të organizohen 16 panaire ndërkombëtare me qëllim të promovimit të produkteve.

“Me qëllim të promovimit të produkteve tona këtë vit i kemi të planifikuara 16 panaire ndërkombëtare. Deri më tani janë realizuar 6 panaire dhe njëkohësisht kemi dhe 9 të tjera. Kryesisht këto panaire realizohen në Evropë aty ku është diaspora jonë. Gjermania merr një numër më të madh të panaireve, mirëpo kemi në mesin dhe tyre në Amerikë dhe një për turizëm në Japoni. Produktet ose panairet nuk janë të kufizuara shumë në cilët sektor. Fillojnë prej sektorit të drurit të tekstilit, të produkteve organike, të produkteve ushqimore, verërave janë të ndryshme”, tha ai.

Besim Berisha, nga departamenti për hulumtime dhe përkrahje e investimeve të diasporës, në kuadër të Ministrisë së Diasporës, tha se në kuadrin e investimeve strategjike interes më të madh nga diaspora ka për investime në energji ose në energjinë e rinovueshme përmes hidrocentraleve ose energjisë me erë.

“ Investimet strategjike janë të fokusuara në dy shtylla kryesore. E para ka të bëjë me sektorin që quhet strategjik e që janë tetë e ndër kryesorët që ne e kemi listuar dhe bëjmë promovim të tyre, sidomos tek diaspora së bashku me KIESA-në ka të bëjë me bujqësi, turizëm. Kur them në energji nuk është që, idea jonë është me përfshi investime në energji sepse janë shumë më të mëdha. Diaspora nuk është aq e profilizuar në investime në energji. Mirëpo vetë interesi i diasporës është për investime në energji. Është interesante që shumica e aplikuesve që janë për investime strategjike janë në sektorin e energjisë. Dhe në sektorin që është në energjinë e rinovueshme, qoftë përmes hidrocentraleve dhe energjinë me erë”, u shpreh Berisha.

Kurse, drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha tha se prodhimi ka avancuar jashtëzakonisht shumë.

“Kosova sot prodhon produkte të ndryshme. Ne shpesh po flasim për drurin për ushqimin për plastikën por në Kosovë kemi një fabrikë që kemi. Kjo është një produkt shumë i avancuar. Është Koshi grup në Prizren bën pjesë për Maserati për Ferrari ka filluar një produkt të ri që ndoshta do të jetë jahta e parë që prodhohet nga fibrat e karbonit”, deklaroi Panxha.