Bislimi: Mustafa po e Pret Babadimrin për Realizim të Punësimeve!

Partia më e madhe opozitare në vend “Vetëvendosje” doli sot me vlerësimin e saj për 1 vit qeverisje të Isa Mustafës.

Visar Ymeri e Besnik Bislimi folën për dështimet e koalicionit LDK-PDK dhe kushtëzimet e dëmshme të Listës Serbe si pjesë e tij.

Ymeri tha se është rritur numri i qytetarëve që kanë lëshuar vendin dhe i aktivistëve që sipas tij po përndiqen nga policia.

“Është rritur në mënyrë drastike numri i atyre qytetarëve të cilët e kanë lëshuar vendin. Asnjëherë nuk është dhënë zyrtare po ajo që është përfolur është 100 mijë qytetarë që e kanë lëshuar vendin, kryesisht në janar dhe shkurt. Po ashtu në mënyrë drastike është rritur numri i aktivistëve të cilët po përndiqen nga polica dhe gjyqësori për shkak të angazhimit të tij politik. 326 sosh që nga janari i këtij viti,” tha Ymeri.

Sipas Ymerit është rritur edhe numri i atyre që nuk mund të gjejnë punë, si dhe numri i ministrave e zëvendësministrave, i anëtarëve të partive në pushtet dhe militantëve nëpër borde të agjencive të pavarura dhe bordeve publike.

Ymeri pastaj foli edhe për marrëveshjet të cilat po i kundërshton opozita.

“Pas pazarit me njëri-tjetrin, Thaçi e Mustafa hynë në pazar tjetër dhe pranuan kushte anti-republikë dhe anti-shtet të Listës Serbe. Bashkësia, jo asociacioni do të krijohet në 3-5 muajt e parë të vitit 2015. Ky ka qenë kushti i parë që e kanë pranuar Thaçi e Mustafa me Listën Serbe,” tha Ymeri.

Kryetari i “Vetëvendosjes” tha se qeveria nuk realizoi elementet që e forcojnë shtetin e Kosovës

“Me agjendën legjislative të propozuar nga qeveria nuk kanë qenë prioritet as formimi i forcave të armatosura, as forcimi i sistemit të drejtësisë, as ngritja e fondit për sigurime shëndetësore,” tha Ymeri.

E dështimin më të rëndë për Kosovën, Ymeri e konsideroi mospranimin në UNESCO që ia faturoi Hashim Thaçit.

Profesori Besnik Bislimi tha se Mustafa nuk mund të realizojë punësimin e 120 mijë personave siç kishte premtuar.

“Prapë z. Mustafa ka dalë edhe ka thanë që mbetem pas propozimit tim për 120 mijë vende pune, që t’çon përshtypjen qe ose Isa Mustafa s’din me i pjestu numrat, ose pret që me ni zarf në fund të vitit me ardhë babadimri edhe me ja pru 120 mijë vende pune, apo versioni ma i besueshëm- Isa Mustafa nuk beson që kjo qeveri mund të qëndrojë deri në fund”.

Bislimi foli edhe për faljen e borxheve nga qeveria për qytetarët dhe bizneset nga 1999-ta deri më 2008-ën.

“Qeveria vendimet e para që i ka marrë, i ka marrë në fushat fiskale ka qenë falja e borxheve për bizneset e pandershme,” tha Bislimi.