“Bisha nga Lindja” Nuk po Zbutet

Acari dhe reshjet e borës po vazhdojnë të shkaktojnë kaos në Evropë.

Aeroporti në Gjenevë është mbyllur sot për shkak të motit tejet të ftohtë, i cila gjatë kësaj jave ka mbërthyer shumë pjesë të Evropës.

Vala e acarit po shoqërohet me reshje të dendura të borës dhe ka shkaktuar kaos në komunikacion në shumë kryeqytete evropiane.

“Për shkak të kushteve të këqija atmosferike në Gjenevë, aktualisht aeroporti është mbyllur për qarkullim.

Këshillojmë udhëtarët që mos të vijnë në aeroport”, u theksua në komunikatën e aeroportit të Gjenevës. Ekspertët valën e acarit e kanë pagëzuar me emrin “Bisha nga Lindja”.

Borë ka rënë edhe në Romë, duke shkaktuar kolaps në komunikacion, shkruan rtv21.tv Për shkak të temperaturave tejet të ulëta, të cilat në disa pjesë të Evropës kanë rënë deri në minus 30 gradë, është ngrirë edhe Danubi. Si pasojë e temperaturave të ulëta është raportuar për dhjetëra të vdekur në disa shtete evropiane dhe bëhet fjalë kryesisht për persona të pastrehë.

Në Britani qytetarët për shkak të motit të ligë po përballen me vonesa në transportin publik, ndërsa autoritetet në Skoci për herë të parë në histori kanë aktivizuar nivelin e kuq të alarmit, në pritje të reshjeve të dendura të borës. Ende nuk dihet numri i saktë i të vdekurve si pasojë e acarit, pasi që shtetet evropiane raportojnë në mënyrë individuale për të vdekurit.

Së paku pesë persona kanë vdekur në Poloni, ndërsa Franca ka njoftuar për katër të vdekur. Për të vdekur është raportuar edhe në Lituani, Rumani dhe Itali. Moti i ligë nuk ka kursyer as shtetet e Ballkanit, me ç’rast në disa rajone në Kroaci temperatura ka rënë në minus 23 gradë Celsius.

Për pastrimin e rrugëve nga bora në Kroaci janë angazhuar edhe pjesëtarët e ushtrisë. Reshje të dendura të borës shkaktuan telashe edhe në Bosnje, e nga vala e acarit u kaplua edhe Mali i Zi, por pa shkaktuar telashe më të mëdha në komunikacion./21Media