BIRN dhe Internews Kosova Sot Publikojnë Raportin 'Nder me Tenderë'

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova do ta publikojë sot raportin e monitorimit të prokurimit publik për vitin 2015.

Raporti i titulluar “Nder me Tenderë” përfshin elemente shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me shpenzimin e parasë publike nga ana e institucioneve lokale, qendrore dhe atyre të pavarura brenda 12 mujorit të kaluar.

Dokumenti është i ndarë në 8 kategori dhe përfshin 169 autoritete kontraktuese, të cilat kanë zhvilluar procedura përmes prokurimit.

Në të, përmes të dhënave statistikore paraqiten kategoritë të cilat shpenzojnë më së shumti para nga buxheti i shtetit, rastet në të cilat janë vërejtur dyshime në ndjekjen e procedurave të parapara me ligj dhe rastet të cilat janë nën hetime nga organet e drejtësisë gjatë vitit 2015.

Ky raport gjithashtu ofron rekomandime për institucionet relevante në fushën e prokurimit se si t’i qasen në mënyrë më të drejtë procesit të prokurimit.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani; Drejtori për Luftimin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri, Prokurori i Shtetit, Besim Kelmendi; kryetari i  Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik, Safet Hoxha, deputetë dhe përfaqësues të shoqërisë civile do të flasin në këtë konferencë.

Ftohen të gjithë përfaqësuesit e mediave që ta përcjellin publikimin e këtij raporti që do të mbahet të mërkurën, më  29 qershor 2016, në orën 11:00 në sallën e konferencave “Orion” në Prishtinë.