BIRN padit Ministrinë e Mjedisit për shkelje ligjore në rastin e Termocentralit 'Kosova e Re'

Viktor Berishaj, Hulumtues për çështje të zhvillimit të qëndrueshëm, ka bërë të ditur se Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) e ka paditur Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për mostransparencë dhe shkelje ligjore në rastin e dhënies së pëlqimit mjedisor nga kjo ministri për kompaninë ‘Contour Global’ dhe obligimet ndërkombëtare që Kosova ka marrë mbi veti, si nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

“Me dokumentet qe pranojmë vërejmë një sërë shkeljesh ligjore që kanë ndodhë me rastin e dhënies së Pëlqimit Mjedisor. Zbulimi më i madh është fakti që ka munguar transparenca si dhe konsultimet e mirëfillta me publikun, qytetarët vendas dhe mbarë Kosovën, për shkak të rëndësisë dhe ndikimit që ky projekt ka, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë kufijve tanë. Për shkeljet ligjore, BIRN ka ngritë padi kundër Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Përpos shkeljeve të ligjeve të Kosovës që kanë ndodhë gjatë dhënies së Pëlqimit Mjedisor, ky proces ka shkelë edhe obligimet ndërkombëtare që Kosova ka marrë mbi veti, si nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Si palë nënshkruese e Traktatit, Kosova ka obligim ligjor që ta aplikoj Direktivën 2011/92/EU, të 13 dhjetorit të 2011, në vlerësimin e efekteve të projekteve të caktuara publike dhe private në mjedis. Shkeljet e direktivës janë bërë pikërisht për shkak të mungesës së transparencës dhe të pjesëmarrjes së publikut në diskutim, si dhe në gjithë procesin e dhënies së Pëlqimit Mjedisor”, ka treguar Berishaj.

Berishaj ka treguar rrjedhojën e shkeljeve ligjore  të cilat i ka bërë Ministria e Mjedisit në këtë rast, sidomos për mospjesëmarrjen e qytetarëve në diskutime publike si pala më e prekur në këtë rast.

“Shkeljet e direktivës kanë të bëjnë me: Nuk ka ndodhë që publiku dhe palët e interesit të njoftohen sipas kohës së arsyeshme, si dhe t’u jepet qasja në dokumentet për të cilat është duke u diskutuar. Mos të kishte ndodhë. Prezantimi i z. Heider në mbledhjen e Qeverisë, nuk do e kishim marrë vesh ende. Shkelja e principit të kohës së arsyeshme që publiku të njoftohet, t’u jepet mundësia t’i shqyrtojnë dokumentet, si dhe hapësira për koment në dokumentet në fjalë, gjegjësisht Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis. Hapësira për pjesë marrje në debate publike nuk ka qenë efektive. Sipas dokumenteve të marra nga MMPH, vetëm 41 qytetarë nga Komuna e Obiliqit kanë marrë pjesë në diskutim publik. Këto janë të njëjta shkelje, janë edhe shkeljet në ligjet e Kosovës”, ka shtuar ai.

Ky informacion është bërë i ditur në Konsorciumin Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm ka organizuar diskutimin publik me temën “Tërheqja e Bankës Botërore nga investimet në thëngjill në Kosovë dhe gjendja aktuale e sektorit të mjedisit dhe energjisë”.