BIRN - Konferenca per bashkepunimin rajonal ne luftimin e krimeve te luftes ne ish Jugollsavi

BIRN mban konferencë për bashkëpunimin rajonal në hetimin e krimeve të luftës

Në kuadër të konferencës rajonale me titull “Pas Hagës, bashkëpunimi rajonal, llogaridhënia, e vërteta dhe drejtësia në Ish-Jugosllavi” të organizuar nga BIRN në Sarajevë,  po diskutohet për sfidat dhe mënyrat e ngritjes së efikasitetit në hetimin e krimeve të luftës në Ish-Jugosllavi.

Në këtë konferencë dy ditore po marrin pjesë zyrtarë nga prokuroritë e Bosnjës, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, EULEX-it si dhe Dhomës së Prokurorit të Specializuar.

Duke synuar në ngritjen e nivelit të bashkëpunimit rajonal si parakusht i domosdoshëm për hetimin e krimeve të luftës, ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores së Bosnjës, Gordana Tadiq tha se duhet të ketë ndarje të informacioneve dhe përvojave në hetimin e këtyre rasteve.

“Duhet të kemi takime e trajnime bilaterale e trelaterale me qëllim që të gjejmë mënyra  dhe tejkalojmë sfidat dhe të mos humbim besimin në kryerjen e punës tonë”, tha Gordana Tadiq.

Bashkëpunimin dhe ndarjen e provave për hetimin e rasteve të krimeve të luftës e përmendi edhe Jurica Iliq, zv. Prokurori i Shtetit në Zagreb.

“Ne deri në këtë fazë vetëm kemi mundësi të shkëmbejmë provat në shtetin tjetër dhe jo më shumë në rastet e krimeve të luftës”, tha Iliq.

Duke treguar për sfidat në ndjekjen e krimeve të luftës, Lidija Vukqeviq, prokurore në Prokurorinë Speciale në Mal të Zi tha se bashkëpunimi në hetimin e krimeve të luftës është element esencial për shkak të kompleksitetit të këtyre rasteve.

“Bashkëpunimi në rastet e krimeve të luftës është shumë i domosdoshëm sepse ka element kombëtar dhe ndërkombëtar. Mali i Zi ka pas fatin që nuk kemi pas luftë direkte ashtu që ne deri më tani në lidhje me luftërat e viteve 90 kemi arrestuar 7 persona dhe prej këtyre rasteve në 3 raste i kemi dënuar, e në 3 tjera janë liruar përkundër se prokuroria ka përdorur të gjitha mjetet juridike dhe në të gjitha këto raste kemi pas bashkëpunim ndërkombëtar sepse krimet janë realizuar jashtë Malit të Zi”, tha Vukqeviq.

Vukqeviq përmendi se njëri nga 7 rastet e krimeve të luftës në të cilën është përfshirë Mali i Zi është edhe rasti që kanë marrë nga Prokuroria e Serbisë për krime të luftës në territorin e Kosovës dhe në lidhje me këtë rast tha se kanë bashkëpunuar me Serbinë por edhe me Kosovën.

Përfaqësuesja e Prokurorisë së Kosovës në këtë konferencë, Merita Gashi këshilltare e Kryeprokurorit të Shtetit në Kosovë përmendi disa pengesa që kanë kushtëzuar punën e prokurorëve të Kosovës në hetimin e rasteve të krimeve të luftës.

“Prokurorët e Kosovës janë angazhuar me vonesë në këto raste sepse UNMIK dhe pastaj EULEX janë marrë ekskluzivisht me këto raste. Aktualisht kemi 3 prokurorë në këto raste. Në kemi pranuar 724 raste të krimeve të luftës nga EULEX dhe ne presim edhe raste të tjera që mund të shkojnë deri në 1000 raste dhe ju e dini që hetimi në këto raste nuk shuhet dhe ne do të vazhdojmë. Pengesë tjetër  është mungesa e bashkëpunimit juridik me Serbinë. Bazuar në faktin se shumica e kryesve të kombësisë serbe janë në Serbi dhe tek ne nuk lejohet gjykimi në mungesë, kjo pasqyron gjendjen e rëndë e në këtë mes më së shumti pësojnë viktimat e këtyre krimeve”, tha Gashi.

Pengesa në hetimin e krimeve të luftës përmendi edhe prokurori që shërbeu në Misionin për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Paul Flynn.

“Kosova nuk është e pranuar nga disa shtete të rajonit dhe kjo ka ndikuar në dobësimin e bashkëpunimit dhe në Kosovë EULEX ka ardhur në vitin 2008  dhe nga UNMIK-u ka marrë një numër të madh të lëndëve dhe në disa ka pasur sukses. Por ne kemi pasur pengesa në bashkëpunimin rajonal dhe në veçanti me Serbinë”, tha Flynn.

Krejt në fund, Christofer Bennett këshilltar i Kryeprokurorit të Specializuar në kuadër të Dhomave të Specializuara shpjegoi historikun e krijimit të Dhomave të Specializuara, veprimtarinë dhe kompetencën e këtij institucioni.