BIRN kërkon nga Putini që të lirojë gazetarët e burgosur

Gazetarët e BIRN-it në Serbi pas arritjes së presidentit rus, Vladmir Putin, në Beograd, kanë kërkuar nga ai që të lirojë gazetarët e burgosur në Rusi dhe të respektojë të drejtat e njeriut.

“Lironi gazetarët!”, thuhet në një pankartë në gjuhën serbe, ruse dhe angleze të vendosur në dritaret e zyrës së BIRN-it, afër vendit ku mbështetësit e Putinit në Serbi u mblodhën për një tubim.

Zyra e BIRN gjithashtu shfaqi një flamur LGBT, duke i bërë thirrje Putinit të respektojë të drejtat e njeriut dhe LGBT në vendin e tij.

OJQ-të proruse me mbështetjen e Partisë Progresiste, në pushtet në Serbi, sot organizuan një tubim masiv në mbështetje të presidentit rus, i cili po takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në qytet.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, në Rusi janë vrarë 58 gazetarë që nga viti 1992. Komiteti gjithashtu tha se dinte për katër gazetarë të burgosur në Rusi në këtë moment.

Grupet e të drejtave gjithashtu kritikojnë Rusinë lidhur me trajtimin e saj ndaj njerëzve LGBT, të cilët përballen me presion rutinë, kërcënime dhe dhunë.

Në raportin e saj të fundit, organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch, HRW, vuri në dukje se një ligj kundër të ashtuquajturës propagandë homoseksuale ndikoi negativisht te lezbiket, homoseksualët, biseksualët dhe transgjinorët dhe gjithashtu te të rinjtë.

“Ligji i vitit 2013 përkeqësoi gjendjen e komunitetit LGBT në Rusi për një kohë të gjatë dhe gjithashtu e mbyti qasjen në arsimim dhe shërbimet mbështetëse LGBT, me pasoja të dëmshme për fëmijët,” tha HRW në dhjetor.

Presidenti rus po takon homologun e tij serb për të nënshkruar një sërë marrëveshjesh dhe memorandume, duke theksuar ngrohtësinë midis dy vendeve sllave.