BIRN Dhuron Gazeta si Donacion për Bibliotekën 'Hivzi Sylejmani'

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese në Kosovës (BIRN) i ka dhuruar donacion bibliotekës së qytetit të Prishtinës “Hivzi Sylejmani” gazeta nga arkiva e saj prej vitit 2003 deri në vitin 2008.

Drejtori i bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, Munish Hyseni tha se është shumë mirënjohës BIRN-it për këtë donacion i cili do të jetë në shërbim të studiuesve.

“Ju jemi mirënjohës se ky donacion do të jetë në shërbim të studiuesve dhe njerëzve të tjerë të interesuar për të kaluarën dhe problemet që janë paraqitur kohë pas kohe, qoftë të natyrës politike, ekonomike, sociale, sportive e kulturore”, është shprehur Hyseni.

Ky donacion i është bashkuar pjesës së sektorit të shtypit dhe të periodikut të bibliotekës “Hivzi Sylejmani” të cilën ata e kanë pasur që nga viti 2000, si gazeta “Rilindja”, revista “Përparimi” e gazeta të tjera.

Drejtori Munish Hyseni shpjegoi se kohë pas kohe në bibliotekë vijnë studiues e studentë të cilët e shfrytëzojnë shtypin e shkruar për temat e tyre në studimet master ose për shkrimin e artikujve të ndryshëm.

Biblioteka “Hivzi Sylejmani” është zhvendosur në objektin e ri pranë shkollës fillore “Xhemajl Mustafa” në lagjen Dardania në vitin 2016, pasi deri atëherë funksiononte në një objekt të vjetër afër objektit të komunës së Prishtinës.

Biblioteka ka dy salla të mëdha të leximit, secila me kapacitet prej rreth 300 vendesh dhe një sallë për tryeza e konferenca shkencore.