BIRN dhe Internews Kosova ndalojnë vjedhjen e lajmeve të tyre

Në mbledhjen e sotme të KMShK-së, përfaqësuesit e KALLXO.com dhe Gazeta Jeta në Kosovë i kanë paralajmeruar anëtarët e saj, se prej sot nuk do të tolerojnë vjedhjen e artikujve dhe produkteve të tyre mediale.

KALLXO dhe Gazeta JnK mori vendim për të ndaluar çfarëdo ri-prodhimi ose ri-publikimi të plotë apo të pjesshëm të lajmeve, hulumtimeve, webTV, emisioneve, fotografive, grafikave apo çfarëdo produkti tjetër të publikuar dhe/ose transmetuar, pa leje dhe/ose autorizim paraprak me shkrim të BIRN ose Internews Kosova.

Vendimi rreth politikave të mbrojtjes së të drejtave të autorit dhe të drejtave të riprodhimit dhe/ose të ri-publikimit ka të bëj me produktet e këtyre dy organizatave siç janë: Kallxo.com, Gazetajnk.com, Jeta në Kosovë, Drejtësia në Kosovë, Krypometri, Prishtina Insight dhe të tjera.

Kryeredaktori i KALLXO.com, Faik Ispahiu pas këtij vendimi ka thënë se vendimi është marrë pasi kanë arritur në konstatimin se deri më tani mediat e tjera kanë ripublikuar mbi 20 mijë materiale të prodhurara nga KALLXO.com pa respektuar rregullat e citimit të të drejtat e autorit.

“”Ripublikime” dhe “Huazime” janë terme që shpesh fshehin hajni klasike të artikujve e materialeve tjera në skenën mediale të Kosovës dhe që të dyja do i ndjekim me procedura ligjore”, shpjegoi Faik Ispahiu, drejtor i Internews Kosova.

Letra e dorëzuar në KMShK paralajmëron se në rast se edhe pas këtyre masave vazhdohet me veprime joligjore të vjedhjes së materialeve të prodhuara nga BIRN dhe Internews Kosova, do të iniciohen procedura ligjore pranë gjykatave kompetente sipas Ligjit për të Drejtën e Autorit si dhe procedura ligjore në Prokurorinë e shtetit sipas Kodit Penal të Kosovës.

“Plotësisht duke e shfrytëzuar sistemin e brishtë të drejtësisë, plogështinë e gjykatave tona e edhe mosdijen e gjyqtarëve në fushën e të drejtave të autorit dhe pronësisë intelektuale,  hajnat medial janë në gjendje që rrenat dhe përzdredhjet e tyre të së vërtetës t’i fshehin pa asnjë problem midis publikimeve të vjedhura nga burime tjera kredibile. Ata thonë se vetëm po “citojnë” lajme nga të tjerët – por kjo në të vërtetë është hajni klasike, e njohur si “Copy/Paste gazetari””, sqaroi Jeta Xharra, drejtoreshë e BIRN Kosova.

Nëse mediat e vlerësojnë që ta përdorin në çfarëdo forme apo mënyre çfarëdo materiali të prodhuar nga BIRN dhe/ose Internews Kosova, atëherë mund të kërkojnë leje paraprake me shkrim.

Leja paraprake me shkrim do të përcaktojë dhe definojë saktë formën, mediumin, kohëzgjatjen, mënyrën e ri-publikimit dhe/ose citimit si dhe detajet tjera të nevojshme.

“Vjedhjen e lajmeve po e bëjnë edhe televizionet që po e marrin lajmin tonë dhe nuk po e citojnë ku e kanë marrë duke e mashtruar shikuesin për burimin e lajmit dhe duke pretenduar që e kanë bërë vetë atë lajm – edhe ata do t’i ndjekim prej tash e tutje në rastet kur e shkelin të drejtën autoriale. Tash e tutje, së paku do ta mbrojmë punën tonë në KALLXO dhe nuk do t’i mbyllim sytë kur të tjerët na vjedhin”, tha Xharra.

Në mbledhjen e sotme të KMShK-së përveç se janë shqyrtuar 17 ankesa ndaj mediave të ndryshme, janë njoftuar edhe anëtarët e saj me vendimin e KALLXO.com

KALLXO do t’ua dërgojnë këtë vendim edhe mediave kosovare në emailet e redaksive të tyre.