BIRN dhe Internews Kosova kërkojnë hetim për drejtorin e Postës nga Antikorrupsioni

Organizatat BIRN dhe Internews Kosova kanë kërkuar hetim nga Agjencia Kundër Korrupsion për Sejdi Hoxhën, drejtorin e Postës së Kosovës i cili së fundmi ka marrë pozitë drejtuese në PDK.

Në zgjedhjet e brendshme të degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, Sejdi Hoxha është zgjedhur kryetar i kësaj dege. Në të njëjtën kohë, Sejdi Hoxha ushtron funksionin e Kryeshefit të ndërmarrjes publike “Posta e Kosovës”.

BIRN dhe Internews Kosova kanë kërkuar nga AKK-ja që të vlerësojë nëse mbajtja e dy pozitave nga Sejdi Hoxha është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjeve Publike.

Ligji për Ndërmarrjet Publike e ndalon ushtrimin e funksionit si Kryeshef Ekzekutiv i ndërmarrjes publike dhe mbajtjes së posteve të larta udhëheqëse në parti politike.

Vitin e kaluar, ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, tash pjesë e kabinetit të Kadri Veselit, Blerand Stavileci, ishte eliminuar nga gara për kryeshef të KEK-ut, për shkak të një interpretimi ligjor të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Zyrës së Kryeministrit.

Sipas këtij interpretimi asnjë person i cili në 36 muajt e fundit ka pasur poste politike në institucione apo në parti politike nuk mund të zgjedhet në krye të menaxhmentit të një ndërmarrje publike.

I pyetur nga KALLLXO.com nëse do të jap dorëheqje nga posti i kryeshefit të Postës së Kosovës, i njëjti e ka mohuar të ketë konflikt interesi.

“Unë kam marr një interpretim nga Zyra Ligjore e Postës së Kosovës e cila konsideron se nuk ka konflikt interesi. Gjithashtu, lidhur me ketë çështje, do të konsultohem edhe me institucione të tjera”, ka shkruar Hoxha duke u zotuar në zbatim të çdo vendimi ligjor.

Shkresën e plotë të BIRN dhe Internews Kosova që është dërguar në Agjencia Kundër Korrupsion mund ta lexoni duke klikuar KËTU.