Bashkësia Islame e Kosovës

BIK-u zotohet se nuk do përsëriten rastet e kushtëzimeve të pagesave nga familjet me asistencë sociale

Sadriu: Nëse një familje jo skamnore nuk e paguan anëtarësinë, mund të ndodhë që mos t’i kryhen shërbimet

Ditë më parë, televizioni publik raportoi mbi rastin e Sabri Beqiri nga Akrshtica e Vushtrrisë, të cilit i kishte vdekur nëna dhe për ta varrosur atë, ai fillimisht u detyrua ta paguaj borxhin e anëtarësisë në Bashkësinë Islame të Kosovës në këtë komunë.

Sipas raportimit, Beqiri u detyrua ta shes një viç për të paguar shumën prej 417 eurove.

Rasti ngjalli shumë reagime në publik, dhe pas një dite, Beqiri u ftua në zyret e BIK-ut në Vushtrri për t’i marr paratë që kishte paguar.

Në një intervistë për KALLXO.com, Ushtruesi i Sekretarit në Bashkësinë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu ka shpjeguar mbi anëtarësinë, rastin në Vushtrri dhe kompensimet e varrimit që mbulohen në shumicën e komunave në Kosovë.

“Ndodhi atje një lëshim nga Bashkësia Islame në Vushtrri, në rastin e tij, dhe siç dihet për një rast social, me probleme ekonomike, ne i lirojmë nga pagesa e anëtarësisë”, thotë Sadriu.

Sipas tij, rasti i Sabri Beqirit nga komuna e Vushtrrisë ka qenë më shumë një keqkuptim dhe mungesë e informatave nga inkasanti që ka shkuar në terren për të kërkuar anëtarësinë.

Ai ka shprehur keqardhje për rastin, ndërsa ka premtuar se rastet e tilla nuk do të përsëriten.

“Besoj që ka qenë një keqkuptim, një mungesë e informacionit të plotë, dhe në fund ka ndodhur se çfarë ka ndodhur. Ne kemi biseduar dhe kemi vendosur që mjetet t’i kthehen. Nuk do të pranojmë të na përsëriten rastet e tilla, përkundrazi. Për këtë rast, ndoshta është për t’i kërkuar falje asaj familje, ne shprehemi para opinionit se rastet e tilla nuk do të ndodhin në të ardhmen”, ka thënë Sadriu në një bisedë për KALLXO.com.

Si funksionin anëtarësia e BIK-ut

Secili person që i përket besimit islam në Kosovë, përveç rasteve sociale, duhet të paguaj një shumë të parave nga tri deri në katër euro brenda një viti.

Bashkësia Islame është organ i pavarur dhe nuk i ndahet buxhet nga shteti për të ushtruar veprimtarinë e saj.

“Ju e dini se Bashkësia Islame është e pavarur dhe shteti nuk e financon. Çdo pjesëtar i Bashkësisë Islame bën një pagesë prej 3 deri në 4 euro për kokë të anëtarit të familjes dhe kjo pagesë është vjetore. Një familje që është pesë anëtaresh apo shtatë anëtareshe i bie që të paguaj dikund 15 deri në 20 euro pagesë vjetore”, ka shpjeguar Sadriu.

Sipas Ushtruesit të Detyrës së Sekretarit në BIK, mjetet e anëtarësisë fillimisht grumbullohen nëpër secilën Bashkësi Islame nëpër qytete dhe pastaj nga ato mjete ndahen edhe pagat për imamët.

“Këto mjete grumbullohen nëpër arkat e këshillave nëpër terren dhe pastaj gjitha këto mjete ndahen për rrogat e imamëve. Ne kemi kërkuar shpesh që të bëhemi pjesë e buxhetit të shtetit, por kërkesat tona kanë has në vesh të shurdhër”, ka thënë ai.

Sa e paguajnë qytetarët anëtarësinë në BIK?

Ahmet Sadriu nga BIK ka folur edhe për pagesat e anëtarësisë. Ai ka thënë se komuna që më së paku paguan anëtarësinë është Prishtina, ndërsa sipas të dhënave të fundit për pagesë prinë komuna e Ferizajt.

“Për shembull, kryeqyteti, nuk besoj që ka paguar më shumë se 12 ose 13 për qind që është paguar anëtarësia. Kemi komuna që kanë paguar anëtarësinë deri 60-70 për qind. Ama, nuk e kalon 80 përqindëshin në asnjë komunë”, ka thënë ai.

“Ndër komunat që ka paguar më së shumti anëtarësinë janë, Ferizaj, Kaçaniku, Podujeva, Hani i Elezit edhe Shtimja. Kryeqyteti është në nivelin më të ulët”, thotë tutje Sadriu.

Nëse një familje jo skamnore nuk paguan anëtarësinë, ndodh që mos t’i kryhen ritualet fetare!

Sadriu ka folur edhe për rastet kur një familje e besimit Islam nuk bën pagesat e anëtarësisë. Ai ka thënë se në rastet e tilla imamët edhe mund të vendosin që mos t’i kryejnë shërbimet.

“Kemi shumë raste kur një familje edhe pse nuk është rast social nuk paguan anëtarësinë. Në raste të tilla, imami merr një pozicion të tillë, që ndodhë edhe mos t’i kryhen shërbimet”, ka deklaruar ai.

Financimi i shërbimeve të varrimit nga komunat

Shumica e komunave të Kosovës kanë lidhur marrëveshje me Bashkësitë Islame përkatëse për të mbuluar shërbimet e varrimit. Ndër komunat e para që ka filluar këtë praktikë është komuna e Mitrovicës.

“Komuna e Mitrovicës ka filluar e para me një praktikë që t’i paguaj shpenzimet e varrimit. Pra, ata ndajnë një shumë nga buxheti komunal për kryerjen e shërbimeve. Nëse deri dje familja është dashur të dal e të blej qefinin, dërrasat, të gjej punëtorë për hapjen e varrit e të paguaj transportin, nga tash e tutje këto obligime i ka marr komuna. Kemi një marrëveshje me komunën. Pas kryerjes së shërbimeve, pastaj mjetet i kompenson komuna. Në këtë pjesë nuk përfshihet arkivoli, edhe sepse nuk preferohet fetarisht edhe ka një kosto të madhe”, ka thënë Sadriu.

Shuma që ndajnë komunat shkon nga 170 deri në 250 euro, ndërsa këtë shërbime ofrojnë shumica e komunave në vend.

“Komunat ndajnë një shumë prej 170 euro deri në 250 euro, variojnë nga komuna në komunë. Me këto para ofrohet shërbim për familjet. Dikund, 60 apo 70 për qind e komunave në nivel vendi e bëjnë këtë kompensim të varrimit”, ka shpjeguar ai.

Sadriu ka thënë se duhet të bëhet një dallim në mes anëtarësisë dhe shërbimeve që mbulojnë komunat për varrim. Sipas tij, duhet të bëhet një zgjidhje për pagesat e imamëve dhe punëtorëve të BIK-ut.

“Dallimi është se komunat ndajnë para vetëm për procedurat e varrimit, anëtarësia është diçka tjetër. Ne në vazhdimësi kemi kërkuar që të ndahet buxhet nga shteti, që t’i sigurojmë pagat e rreth 2 mijë punëtorëve. Kemi pasur raste kur deri në 60 muaj kanë qenë pa të ardhura imamët. Konkretisht në Rahovec, Imami nuk marr rrogë 60 muaj. Kemi edhe sot imam që marrin rroga të vogla nga  70- 80 euro deri në 100- 150 euro”, ka thënë ai.

Aktualisht pozita juridike e Bashkësive Fetare është e pa definuar, ka përfunduar ai.